AlbanianSport.com 07.11.2016 21:45
ASNN – Sonte është zhvilluar derbi më i madh në basketbollin kosovar, ndërmjet SIGAL Prishtinës dhe Pejës. Një ndeshje spektakolare u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në kryeqytetin e Kosovës, në të cilën më e zonja u tregua skuadra e Pejës, që fitoi me rezultatin e ngushtë 68-65.
Peja ka arritur që të përmbysë epërsinë e thellë prej 11 pikëve të Prishtinës në gjysmën e parë të sfidës, për ta fituar takimin në fund me 3 pikë epërsi. Kjo ndeshje ishte shtyrë për ditën e sotme për shkak të angazhimeve të të dyja skuadrave kosovare në veprimtaritë evropiane.
Të dyja skuadrat garojnë në “FIBA Europa Cup” dhe në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj (BIBL), përveç ndeshjeve në kampionatin vendas të koshit. Pas gjashtë ndeshjeve në Superligën e Kosovës në Basketboll për Meshkuj, kreun e tabelës së renditjes e merr Peja, me 12 pikë të grumbulluara, e ndjekur nga SIGAL Prishtina, me një pikë më pak.