AlbanianSport.com 07.11.2016 11:15
ASNN – Pasi ka marrë pjesë në prezantimin e librit të ish-këshilltarit të kryeministrit britanik, Alister Kempbëll një ditë më parë, një nga teknicienët më të famshëm italian Arrigo Saki, ka zhvilluar një takim me të gjithë trajnerët e përfaqësueseve shqiptare.
Të pranishëm kanë qenë nga trajneri i përfaqësueses së të rriturve, Xhovani De Biazi, tek Redi Jupi i përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve dhe të gjithë trajnerët e tjerë të grupmoshave më të vogla apo edhe të përfaqësueseve kuqezi të femrave.
Në përfundim të takimit, Arrigo Saki nuk mund të mos largohej pa një koment për kualifikimin historik të Shqipërisë në Evropian dhe për faktin që kuqezinjtë do të përballen me Italinë në eliminatoret e Botërorit.
“Përfaqësuesja e Shqipërisë ka bërë një arritje shumë të madhe dhe nuk duhet harruar që nga këndvështrimi i futbollit përfaqësuesja juaj konsiderohet si një skuadër e nivelit të dytë”, – ka deklaruar ai.
“Pra, mund të themi është një mrekulli që ka bërë De Biazi dhe këta djem, – vijoi italiani. – Sa i përket finaleve të Evropianit mund të them që skuadra duhet të jetë e qetë, të mos ketë objektiva pasi të gjithë e dinë që duhet të japin maksimumin e tyre.”
“Sa i përket faktit që do të jemi në një grup për eliminatorët e Botërorit shpresoj që të fitojë Italia edhe pse nuk do të jetë e thjeshtë”, – përfundoi trajneri i mirënjohur i futbollit italian dhe atij botëror, Arrigo Saki.