AlbanianSport.com 01.11.2016 10:10
ASNN – Teuta dhe Tirana janë kampionët e mundjes për të rinj në stilin e lirë dhe klasik, ndërsa sportistët më të mirë janë shpallur përkatësisht Omar Lila dhe Ramazan Lami. Ky kampionat u zhvillua përgjatë ditës së shtunë në sallën nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.
Në zbatim të kalendarit të saj vjetor, Federata Shqiptare e Mundjes ka zhvilluar të shtunën Kampionatin Kombëtar të Të Rinjve. Një garë e cila është zhvilluar në sallën nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, ndërsa ka pasur një pjesëmarrje të bollshme të të gjitha ekipeve në të gjitha grupmoshat.
Në ceremoninë e hapjes, është bërë edhe vlerësimi për figurat e këtij sporti, ndërsa këtë herë me titullin e mirënjohjes “Nderi i Mundjes” janë nderuar Besim Pirani, Pirro Kokalari dhe Marjan Rotani. Ajo që bie në sy, ashtu sikurse ndodhi dhe në kampionatin e moshave dhe paratërinjve, përsëri fitues janë Teuta dhe Tirana.
Dy skuadra që vijojnë të mbajnë gjallë traditën e tyre të mundjes në stilin e lirë dhe klasik, kurse sporti i tapetit gjithnjë e më shumë po bëhet masiv. Tashmë radhën e kanë të rriturit, kurse mundja shqiptare i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj në zhvillimin e veprimtarive kombëtare e ndërkombëtare.