AlbanianSport.com 29.10.2015 10:05
ASNN – Ndeshja e fundit e Skënderbeut në Ligën e Evropës me Sportingun e Lisbonës, ku kampionët humbën thellë, 5-1, dyshohet të jetë e trukuar. Nuk është një nga ato konstatimet rutinë të kompanive të huaja, që merren me këtë temë, pasi këtë radhë Federbet, kompania e pajtuar nga UEFA për kontrollin dhe hetimin e basteve, është më konkrete në gjykimin e saj.
Kompania në fjalë ka kontrolluar sidomos bastvënien “live”, duke zbuluar shifra të mëdha, që kanë lëvizur çuditshëm, me përfundimin se ndeshja do të përfundonte me shumë gola. Sipas kësaj kompanie, për ndeshjen e luajtur në Lisbonë janë luajtur shumë të mëdha për “over” (më shumë se 3 gola). Madje, ka pasur edhe shuma të mëdha gjatë pjesës së dytë se do të shënoheshin gola të tjerë dhe për rezultat të fiksuar.
Federbet argumenton se ka pasur një fluks anormal bastesh gjatë ndeshjes. “Që prej vitit 2002 dimë shumë gjëra rreth ndeshjeve të dyshimta në veprimtaritë evropiane, ku në shumicën e rasteve përfshihen ekipet shqiptare. Më në fund duket se do të kemi një përgjigje konkrete për këtë çështje”, – shprehet sekretari i përgjithshëm i kompanisë Federbet, Françesko Baranka.
Kështu, Kompania që ka pajtuar UEFA për të kontrolluar dhe hetuar bastet, “Federbet”, nëpërmjet një njoftimi të fundit për shtyp e ka konsideruar ndeshjen e Ligës së Europës, Sporting Lisbona-Skënderbeu 5-1 si të “dyshuar” për trukim. Ja dhe deklarata për shtyp e kompanisë “Federbet”, e pajtuar nga UEFA për kontrollin e ndeshjeve:
”Federbet konsideron se ndeshja e futbollit, Sporting Lisbona-Skënderbeu, e luajtur më 22 tetor 2015 (e vlefshme për fazën në grupe të Ligës së Evropës), dyshohet si e fiksuar. Anomalia në rrjedhën e basteve ka filluar gjatë lojës “live” dhe, në veçanti, në pjesën e dytë, ku “OVER” vazhdoi të ulet sesa të rritej.
Është e rëndësishme të vërehet rezultati përfundimtar 5-1, duke konfirmuar këto anomali. Duke u ndalur në përditësimin e vlerës së luajtur, e cila ishte në rënie, minutë pas minute, konstatojmë pikërisht të kundërtën e asaj që duhet të ndodhë në një lojë të rregullt.
Për shembull, kjo vlerë, me një koefiçent 5.0, në mënyrë të konsiderueshme është ulur disa minuta para se të shënohet një gol tjetër. Anomalia ka të njëjtën strukturë, që gjendet në dy rastet e para, të raportuara nga “Federbet”, për ekipin shqiptar të Skënderbeut.”
Nuk është hera e parë që Skënderbeu përmendet në hetimet e kompanisë Federbet si i dyshuar për trukim ndeshjesh, por deri tani asgjë nuk ka ndodhur. Mbetet për t’u parë këtë radhë, pasi nuk është një rast i zakonshëm.