Marrë nga ABC News 28.10.2015 19:55
ASNN – Nuk ka rritje page për Xhovani De Biazin, por italiani mund të largohet nëse paguan 100,000 euro. Mund të ketë kapur qiellin, por kjo nuk do t’i sjellë më shumë fitime. Trajneri Xhovani De Biazi do të duhet të kënaqet me po atë rrogë që merrte edhe kur Kombëtarja shqiptare ishte ende skuadra modeste ballkanase, dhe jo kjo që është sot.
Burime nga Federata Shqiptare e Futbollit tregojnë se dy ditët e qëndrimit në Tiranë nuk i sollën asnjë ndryshim gjendjes financiare të trajnerit kuqezi. Takimet e tij me presidentin Duka lanë në fuqi “status-quo”-në, duke konfirmuar atë që vetë numri 1 i futbollit shqiptar kishte deklaruar disa ditë më parë. Trajneri italian, megjithatë, ka mundësi ta bëjë zgjedhjen e tij, të qëndrojë apo të largohet.
Në kontratën e tij, sipas të njëjtave burime në Federatë, ekziston një klauzolë që e lejon të ikë në çdo moment, nëse paguan nga xhepi 100 mijë euro. Kaq do të kushtonte prishja e njëanshme e kontratës, që vlen deri në fund të Eliminatoreve të Botërorit të ardhshëm, në vjeshtë të vitit 2017. Tashmë që dihet vendimi i Armando Dukës, cili do të jetë ai i Xhovani De Biazit?
A do të tundohet të largohet trajneri i suksesshëm nga oferta shumë më të larta se ajo e Federatës Shqiptare, oferta që i ka pasur edhe më parë, dhe mund t’i ketë sërish? Ekziston bindja se italiani do të drejtojë Shqipërinë në fazën finale të Evropianit vitin e ardhshëm, duke mos lejuar të humbasë emocionet më të mëdha të karrierës, shans që ndoshta nuk i vjen më në jetë. Pas Evropianit, “me të parë, e me të bërë”.