*Nga Viron Bezhani 28.10.2015 10:45
Futbolli shqiptar preku ëndrrën e tij dhe do të marrë pjesë në një Kampionat Evropian, aty ku do të duelojë mes më të mirëve të kontinentit. Një lajm që na gëzoi të gjithë dhe përmes këtyre rreshtave nuk do të bëj opinionistin e futbollit, pasi, në këtë rast, mbetem thjesht një tifoz i këtij sporti si të gjithë shqiptarët. Por dëshiroj të evidentoj se arritja e këtij rezultati nuk është një rastësi, përkundrazi. Prej vitesh ky objektiv ka qenë në axhendën e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila me punë dhe durim ia doli mbanë të realizojë jo vetëm ëndrrën e saj, por edhe të të gjithë shqiptarëve.
Si president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ajo që dua të evidentoj është se si me një plan të qartë e konkret, me punë e sakrifica, me ide dhe njerëz të kualifikuar, mund të arrish të realizosh objektivin. Këtë gjë Federata e Futbollit e realizoi pas disa vitesh pune, duke nisur të ndërtojë dalëngadalë bazat e kësaj piramide triumfuese deri në ndërtimin e një ekipi kombëtar të fortë. Ky është modeli që duhet të ndjekë sot i gjithë sporti shqiptar, kryesisht ai ekipor, por edhe sportet individuale. Punë, përkushtim, njerëz, ide, sakrifica e lojë e ndershme dhe në fund rezultatet do të vijnë.
Ose të paktën do të shprehemi se jemi përpjekur të arrijmë maksimumim. Këto gjëra shpesh mungojnë në sportin shqiptar, rrugë të cilat KOKSH shpesh është përpjekur t’i përcjellë te njerëzit e sportit, te sportistët, trajnerët, menaxherët e administratorët e sportit. Nuk po shpikim asgjë të veçantë, thjesht po ndjekim një rrugë që edhe të tjerët para nesh e kanë bërë. Një rrugë që e ndoqi edhe futbolli shqiptar dhe ia doli mbanë. Por shpesh në sportin shqiptar kërkohet rruga e shkurtër, pa përdorur idetë, njerëzit dhe kapacitetet e duhura për të shkuar te suksesi.
Dhe kjo gjithnjë të çon te dështimi, te rezultati i rremë dhe zhgënjimi. Ndaj për të triumfuar edhe në sportet e tjera në vendin tonë, kolektive apo individuale, mjafton të kthejmë kokën e të mësojmë nga futbolli ynë. Të paktën nga mënyra se si u ndërtua pas shumë vitesh punë një kombëtare elitare dhe fituese. Duke punuar me moshat, në Shqipëri e jashtë saj, duke i mbështetur ata, përkrahur dhe inkurajuar. Duke sjellë specialistë e trajnerë të huaj, që me përvojën e tyre orientojnë trajnerët tanë për të mësuar e ndërtuar edhe ne diçka të mirë për të ardhmen.
Natyrisht që sporti i futbollit, krahasuar me sportet e tjera në vendin tonë, ka edhe plus të madh, madje shumë të rëndësishëm sot në kushtet tona: Paratë. Këto shpesh mungojnë në sportet tona kolektive, apo individuale, por nuk na mungojnë menaxhuesit e mirë. Aty ku punohet me ide dhe projekte afatgjata ka rezultat, siç ndodh te Studenti i trajnerit Ylli Tomori, apo te ndonjë peshëngritës. Nëse punohet me ide e projekte konkrete sot në sport edhe mbështetja e biznesit do të jetë më e madhe dhe paratë do të vijnë.
Të gjitha këto gjëra dihen, por në sportin shqiptar shpesh njerëzit nuk duan t’i bëjnë, duke u mjaftuar me amatorizmin e të bërit sport sa për të kaluar radhën. Kjo do të thotë rezultate mediokre dhe asnjëherë nuk do të shkojmë aty ku duam, të medalja, te triumfi. Rruga më e gjatë është edhe më e vështira, por ama në fund të çon te suksesi, ashtu sikurse edhe ndodhi me futbollin shqiptar, që pas shumë vitesh pune arriti të kualifikohet në Evropian. Shumë breza futbollistësh nuk e realizuan ëndrrën, por ama ata janë pjesë e një sakrifice kombëtare, pasi kjo kombëtare sot realizoi edhe ëndrrën e tyre të kahershme.
Kjo gjë duhet të ndodhë edhe në sportet e tjera në Shqipëri, të punohet me ide, me projekte dhe me njerëz të kualifikuar, duke ndjekur një model të thjeshtë e të qartë, si ai i kombëtares të futbollit. Dhe pas disa vitesh do të shohim se edhe në sportet e tjera do të shkëlqejmë në Evropianë e Botërorë dhe do të korrim medalje në ato veprimtari ndërkombëtare, apo edhe në Olimpiada. Më shumë sakrificë, punë e investim sot në sport, që nesër të arrijmë të krenohemi me atë çka dhamë ndër vite.
*Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar