Gjergj Vyshka 27.10.2015 14:55
Trajneri: “Do të kemi disa ndryshime në 11-shen tonë krahasuar kjo me ndeshjen e së enjtes së kaluar. Nuk mund të them emra, por shpresoj që të marrim një rezultat pozitiv.” Kombëtarja e futbollit të femrave të Shqipërisë do të luajë sot pasdite në Bukuresht, ndeshjen e dytë të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian “Holandë 2017”.
Vajzat do të jenë përballë Rumanisë, ndërsa tek kuqezinjtë e Rrakllit zhgënjimi për atë humbje të papritur të enjten e kaluara në Fier, 1-4, ndaj Greqisë është shumë i madh. Rraklli mundohet të analizojë atë që ka ndodhur me helenët në një intervistë për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, ndërsa pranon se ka qenë një ditë jo e mirë për kombëtaren tonë.
Ashtu sikurse pranon se ka pasur një mori gabimesh, qofshin këto dhe individuale, të cilat më pas bënë një të tërë. Për rrjedhojë, edhe për shkak të asaj paraqitjeje zhgënjyese ndaj Greqisë, ndaj rumuneve sot do të ketë disa ndryshime në formacion. I pari i stolit kuqezi nuk bën të ditur emra, por shpreson që të arrijë një rezultat pozitiv, ndonëse nuk ka asnjë informacion për kundërshtarin.
– Një humbje e papritur me Greqinë të enjte në Fier?
– Të them të drejtën jam mërzitur shumë, sepse nuk e prisja. E jo vetëm unë, por as skuadra, sepse gjatë gjithë javës ishim përgatitur për ta fituar këtë sfidë. Mirëpo duket se nuk ka qenë dita jonë.
– Në të vërtetë çfarë ndodhi me skuadrën dhe pse ajo lloj shthurje?
-Ti e the dhe vetë në hyrje të kësaj interviste që ndonjëherë nuk ke ç’i bën. Nuk gjej fjalë të them atë që ndodhi në fushë të enjten ndaj Greqisë. Krejtësisht e papritur.
– Nëse do ta riluaje edhe një herë atë ndeshje çfarë do t’i ndryshoje?
– Problemi është se u mblodhën pak nga të gjitha që bënë më pas një të tërë…
– … që do të thotë?
– Mendoj se deri në pësimin e golit të parë loja ishte e barabartë dhe më pas erdhi ajo që nuk ka nevojë më për koment.
– Kaq e fortë është Greqia sa për të na bërë neve katër gola në shtëpi?
– E vërteta është se gabuam shumë në mbrojtje. Madje gabuam në momente të veçanta dhe u ndëshkuam. Shumica e gabimeve janë edhe individuale. Mos harroni që dy gola janë pësuar nga goditje dënimi, kurse i pari më tepër është aksident. Sido që ta sillje atë ndeshje s’ishte dita jonë.
– Sot do të keni përballjen e dytë eliminatore ndaj Rumanisë. Sa ka fuqi skuadra të reagojë dhe të ndryshojë qoftë dhe moralisht?
– Ajo që duket, të paktën edhe në analizën që kemi bërë pas ndeshjes me Greqinë, lojtaret janë më shumë se sa të zhgënjyera. Nga ana psikologjike këto ditë në stërvitje kemi folur shumë. Do të kemi edhe disa ndryshime në formacion. Dhe shpresoj që të marrim një rezultat pozitiv në Rumani, edhe pse është shumë e vështirë.
– Ndonjë emër konkret që mund të jetë në formacion sot?
– Nuk më duket e udhës të them emra, kjo edhe për të ruajtur grupin brenda.
– Së fundi, ndonjë informacion për kundërshtarin që do të keni përballë?
– Të them të drejtën nuk kam asnjë informacion…