AlbanianSport.com 27.10.2015 14:00
ASNN – Fillimi i keq i sezonit nga ana e skuadrës së tij në Premier Ligën Angleze, ku skuadra e tij mban vendin e 15-të, me vetëm 11 pikë të grumbulluara në 10 javë, ka bërë që e ardhmja e Zhoze Murinjos si trajner i londinezëve të Çellsit të vihet në pikëpyetje.
Një sezon që nisi me një konflikt të shumëpërfolur me fizioterapisten e klubit, që çoi në pezullimin e saj nga ana e trajnerit portugez, ka vijuar me rezultate të dobëta në kampionat, ku Çellsi i Murinjos ka korrur vetëm 3 fitore, ka marrë dy barazime, ndërsa ka pësuar 5 humbje.
Mbetja prapa në luftën për titull, duke qenë plot 11 pikë pas Mançester Sitit kryesues, ka bërë që stoli i portugezit në klubin londinez të tronditet. Dhe, duke qenë se i frikësohet një shkarkimi të mundshëm, Zhoze Murinjo ka nisur që tani të mendojë për skuadrën e re.
Rrjeti televiziv sportiv, “ESPN”, shkruan se agjenti i Murinjos ka nisur bisedimet me kampionët e Francës, Paris Sen Zhërmenin, skuadër tek e cila ai shpreson të kalojë nëse shkarkohet nga Abramoviç. Ndërsa lidhur me pasardhësin e tij, mediat shkruajnë se është Pep Guardiola ai që pritet të zëvendësojë Murinjon tek Çellsi.