AlbanianSport.com 26.10.2015 13:25
ASNN – Nuk ka shije më të mirë sesa ajo e vendit të parë dhe Sulejman Starova po jeton një rini të dytë në stol, dhe shpreson që të fitojë një titull tjetër pas atyre me Partizanin dhe Tiranën në të kaluarën.
Partizani i tij mundi Skënderbeun, një fitore që për trajnerin ishte e bukur, por nuk ishte hera e parë që Partizani përmbysi. Nd[rkaq, një nga shënuesit, Krasniqi, ka vlerësuar precedentin e fitores mbi kampionët.
Trajneri i Skënderbeut, Josa, sheh anë pozitive edhe në disfatë. Edhe më i vendosur golashënuesi Hamdi Salihi, edhe pse fillimisht e uron Partizanin për fitoren. Kampionati premton të jetë i fortë, edhe pse lufta për titull duket se do të jetë vetëm për dy.
Por, përtej fasadës, nuk ka kaluar pa nervozizëm ndeshja jo e suksesshme e radhës për Skënderbeun. Disfata me Partizanin ka ndikuar që lojtarët e zëvendësuar të mos i prisnin mirë vendimet e trajnerit Mirel Josa për t’i ulur në stol.
Fillimisht, Kristi Vangjeli, dhe më pas sulmuesi Peter Olajinka kanë debuatuar me trajnerin në momentin që kanë lënë fushën e lojës. Gjithsesi, Josa ka deklaruar pas takimit se askush nuk mund të verë në diskutim vendimet e tij teknike.
Humbja me Partizanin ishte ndeshja e tretë radhazi pa fitore për kampionët, pas barazimit me Teutën në kampionat dhe humbjes me Sportingun e Lisbonës në Ligën e Evropës.