AbanianSport.net 25.10.2015 20:55
ASNN – Partizani ka marrë kreun e renditjes së Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të futbollit, duke arritur në kuotën e 22 pikëve. Fitorja 2-1 ndaj Skënderbeut kryesues, por dhe emocionet e dhuruara gjatë gjithë lojës, kanë justifikuar pritshmeritë e tifozerive. Ndërsa ndeshja Vllaznia-Tirana, që u transmetua nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u mbyll në barazim 1-1, e po në barazim, por në shifrat 2-2, përfundoi dhe ndeshja Laçi-Teuta.
Dy skuadra me histori në futbollin shqiptar, Vllaznia dhe Tirana kanë dhuruar një ndeshje të mirë përballë tifozëve përkatës. Në pjesën e parë është Tirana më kërkuese ndaj golit dhe është Zhilberto Fortunat, që humbet rastin më të mirë për të kaluar skuadrën e tij në epërsi në minutën e 26-të. Dy minuta më pas, është Fukui që gjuan bukur brenda zonës, por grushton portigeri Dragojeviç i Vllaznisë. Në 39-ën, Smajli godet saktë me kokë brenda zonës, pas një topi të ardhur nga goditja e këndit dhe Tirana kalon në epërsi.
Me fitoren 1-0 të bardhebluve mbyllen 45 minutat e para. Pjesa e dytë nis me një rast për Tiranën, kur, në minutën e 56-të, Gilman Lika shpërdoron një rast të pastër për të dyfishuar rezultatin, por gjuajtjen e sulmuesit shkodran e pengon në finalizim Marku. Në minutat e mbetura është Vllaznia më kërkuese ndaj golit. Souza përpiqet me një goditje me kokë në minutën e 71-të, por pret portieri Edvan Bakaj.
Në të 72-ën minutë, Krymi gjuan fluturimthi brenda zonës, por topi godet shtyllën pingule të mbrojtur nga Bakaj. I njëjti futbollist humbet një tjetër rast për të barazuar rezultatin në minutën e 83-të, kur i vetëm brenda zonës së Tiranës, gjuan jashtë. Minuta e 85-të dhe gjyqtari jep goditje dënimi për Vllazninë. Në largësinë rreth 16 metra, Polizoi Arbri gjuan saktë dhe barazim 1-1. Tirana përpiqet të shënojë në minutën e 3-të shtesë, me anë të Fukuit por topi përfundon jashtë.