Sot finalet e kampionatit kombëtar të boksit për të rritur që do të shënojë dhe fundin e aktivitetit treditor në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër. Edhe dita e dytë e Kampionatit Kombëtar të Boksit për të rritur, veprimtarisë që po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, nuk ka kaluar pa emocione. Sërishmi në ring ballafaqimet më interesante janë dhuruar nga boksieret e dy ekipeve rivale, Vllaznisë dhe Tiranës.
Nga dhjetë ndeshjet e kësaj dite, ballafaqimi Denis Nurja (Tirana) – Kristian Shytani (Vllaznia) është vlerësuar si ndeshja më e bukur. Çifti në fjalë, i pesti sipas radhës së ballafaqimeve në ditën e dytë të kampionatit kombëtar të boksit. ka qenë për llogari të peshës deri në 69 kg. Një ndeshje që i kishte të gjitha brenda, luftën e fortë sportive, rivalitetin që nga minuta e parë e raundit të parë dhe deri në dëgjimin e gongut të mbylljes së ndeshjes.
Takim që i ka mbajtur në tension dhe plot emocione të pranishmit e shumtë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Në përfundim, vendimi i gjyqtarisë ishte 3-0 në favor të shkodranit Shytani. E ndërsa Shytani dhe tifozëria shkodrane i gëzohej këtij suksesi që arrihej ndaj një rivali direkt si ekip për titullin “kampion”, reagimi i një prej tifozëve të kampit tiranas ishte debati me gjyqtarët, por gjithçka u neutralizua nga forcat e rendit të pranishme në Pallatin e Sportit.
Ndërkohë sërishmi nga ky çift vjen befasia dhe surpriza tjetër kur si rezultat i një dëmtimi të rëndë në sy, disa minuta më vonë pas një diagnostikimi të stafit mjekësor, për Shytanin është marrë vendim që të mos lejohet të boksojë për ditën e tretë finale. Një problem ky jo i vogël për stafin teknik të Vllaznisë që pa Shytanin ndoshta mund ta ketë më të vështirë realizimin e objektivit të titullit “kampion”.
Kampionati Kombëtar i Boksit për Të Rritur
Rezultatet teknike të ditës së dytë:
Pesha 52 kg Ago (Vllaznia) – Sulaj (Tirana) (fiton me VO Ago i Vllaznisë)
Pesha 52 kg Rama (Dinamo) – Vrapi (Teuta) 0-3
Pesha 60 kg Zajmi (Dinamo) – Piranej (Vllaznia) 3-0
Pesha 64 kg Kuqi (Apolonia) – Merkohasani (Tirana) 0-3
Pesha 69 kg Nurja (Tirana) – Shytani (Vllaznia) 0-3
Pesha 69 kg Zaimi (Apolonia) – Sorra (Arena) (fiton Sorra me AB për tërheqje të kundërshtarit)
Pesha 75 kg Çullhaj (Dinamo) – Lazëri (Teuta) 3-0
Pesha 75 kg Vashja (Vllaznia) – Beqiri (Tirana) 0-3
Pesha 91 kg Rama (Tirana) – Kaçaj (Flamurtari) 2-1
Pesha +91 kg Laçi (Tirana) – Hysa (Vllaznia) 0-3