AlbanianSport.com 24.10.2015 18:55
ASNN – Sektori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka vendosur që java e 8-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të luhet e gjitha ditën e diel.
Katër takime do të luhen në orën 13:00, kurse supersfida e kësaj jave, ajo midis Partizanit e Skënderbeut do të luhet duke nisur nga ora 19:00, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”.
Sipas asaj që kreu i garave në FSHF ka pohuar për AlbanianSport.com, një vendim i tillë i federatës erdhi pas debateve të shumta në shtyp midis dy klubeve, Partizanit e Skënderbeut, për datën dhe orarin e ndeshjes.
Korçarët kërkonin të luhej të hënën, ndërsa të kuqtë insistonin për të dielën, me dyshimin se, nëse spostohej të hënën, favorizohej Skënderbeu. E thënë ndryshe, për të evituar përplasjet, FSHF vendosi që të gjitha takimet e kësaj jave të luhen në një ditë.