Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopulli, jo vetëm që ka vlerësuar organizimin e veprimtarisë nga shkodranët, por mbi të gjitha cilësinë në ring, si dhe të arbitrimit në të gjitha ndeshjet. Pasditja e djeshme në Pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës ka shënuar startin e kampionatit kombëtar të të rriturve në boks, që do të zhvillohet për tre ditë rresht në kryeqendrën e veriut.
Pas ceremonisë së hapjes së këtij aktiviteti, ku ekipet pjesëmarrëse i kanë përshëndetur drejtori i klubit shumësportesh Vllaznia, Mark Krroqi dhe presidenti i Federates Shqiptare të Boksit, Florent Kalivopulli, kanë nisur ballafaqimet në ring të kampionatit të 24-t kombëtar të boksit për të rritur. Në garë janë shtatë ekipe Vllaznia, Tirana, Flamurtari, Dinamo, Apolonia, Teuta, Partizani, ku lufta sportive më e fortë parashikohet të jetë në mes shkodranëve dhe bardhebluve.
Këta të fundit janë kampion kombëtare në fuqi, ndërsa i mohuan Vllaznisë fitoren e 20-të të titullit kampion. Ndaj edhe për këtë arsye, Vllaznia e ka detyrim që këtë titull ta fitojë përpara publikut të vet. Për kuqeblutë ky sport konsiderohet si më i suksesshmi në vitet e fundit. Në dhjetë ndeshjet e dites së parë, ekipi më i suksesshëm është paraqitur Vllaznia e Shkodrës e ndjekur nga rivalja kryesore Tirana, pastaj Flamurtari dhe Teuta.
Nisur nga ajo çfarë u prezantua në ring, ndeshja më e bukur e ditës së parë është cilësuar ajo e peshes deri në 81 kg mes Alban Barmeta të Tiranes dhe Arjon Kajoshi të Vllaznisë. Pas një lufte shumë të forte sportive, shoqëruar edhe me emocione të pafund, gjyqtari vendosi që me rezultain e ngushtë 2-1 të shpallë fitues talentin shkodran 19 vjeçar, Kajoshi.
Emocione dhuroi edhe ndeshja e fundit e dites së parë, ajo në mes tetë herë kampionit, shkodranit Kristian Demaj dhe të riut dinamovit Emiliano Xhediku. Demajt iu desh një punë e madhe për të mposhtur dinamovitin Xhediku, pasi me freskinë e rij rinore ai rivalizoi në mënyrën më të mirë gjatë dy raundeve të para. Por ishte raundi i tretë ai që vendosi fitoren e shkodranit.
Kampionati Kombëtar i Të Rriturve në Boks
Rezultatet teknike të ditës së parë
Pesha 56 kg Jaku (Vllaznia) – Xhameto (Tirana) 0-3
Pesha 56 kg Lamaj (Apolonia) – Zeneli (Flamurtari) 0-3
Pesha 64 kg Merkohasanaj (Tirana) – Ndrevata (Vllaznia) (fiton me VO për mosparaqitje të kundërshtarit Merkohasanaj)
Pesha 64 kg Cenaj (Teuta) – Sokoli (Dinamo) 3-0
Pesha 69 kg Shytani (Vllaznia) – Pali (Dinamo) (fiton me AB Shytani i Vllaznisë)
Pesha 75 kg Vashja (Vllaznia) – Pasha (Apolonia) (fiton me AB Vashja i Vllaznisë)
Pesha 75 kg Xhafaj (Partizani) – Beqiri (Tirana) (fiton me VO për mosparaqitje të kundërshtarit Xhafaj)
Pesha 81 kg Barmeta (Tirana) – Kajoshi (Vllaznia) 1-2
Pesha 91 kg Demaj (Apolonia) – Kaçaj (Flamurtari) (fiton me AB Demaj i Apolonisë)
Pesha 91 kg K.Demaj (Vllaznia) – Xhediku (Dinamo) 3-0