Gjergj Vyshka 23.10.2015 11:35
Gentian Begaj, futbollisti që luan me grekët e Athina’90 dhe që Resuli jo më kot e ka quajtur lojtarin e përvojës në kombëtaren e tij, pa hequr meritat e të tjerëve, ka shpjeguar se Franca është një kundërshtar me një nivel më të lartë se sa Lituania.
“Kemi bërë vërtetë një ndeshje të madhe, – ka thënë Begaj, duke folur për “Sport Ekspres”, – kemi qenë shumë të përqendruar në veprimet tona, sidomos në ato mbrojtëse, dhe me kundërsulm kemi ditur të godasim.”
“Duket sikur ka qenë dita jonë, ndonëse e kishim menduar Lituaninë një kundërshtar shumë më të fortë dhe më të vështirë, – ka vijuar ai. – Aq më shumë që ndeshjet luhen në fushën e saj.”
“Megjithatë duhet të pranojmë se kemi një ndeshje të vështirë sonte përballë Francës, skuadër e cila ishte një nivel shumë më të lartë se sa Lituania. Do të na pëlqente edhe barazimi”, – ka theksuar Begaj.
“E rëndësishme është të marrim pikë për të konfirmuar më pas kandidaturën tonë për t’u kualifikuar. Ndonëse kalon në turin tjetër vetëm kryesuesja. Por nëse luajmë të përqendruar, atëherë ia dalim edhe me Francën. Shpresojmë t’ia arrijmë qëllimit”, – ka përfunduar ai.