AlbanianSport.com 21.10.2015 09:00
ASNN – Trajneri i Kombëtares, Xhovani De Biazi, ka deklaruar se kontrata e tij me Federatën Shqiptare të Futbollit rinovohet automatikisht deri në 2017-tën, por ka theksuar se tashmë pret një rinegocim të kushteve financiare të saj. Këto deklarata De Biazi i bëri të martën në mbrëmje, teksa ishte i ftuar në emisionin “Football Night” të gazetarit italian Xhanluka Di Marcio në rrjetin prestigjioz televiziv “Sky”.
Një kualifikim historik për në finalet e Evropianit natyrisht që ka sjellë shumë kënaqësi për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi i cili ishte i ftuar në emisionin “Football Night” të gazetarit Xhanluka Di Marcio të rrjetit prestigjioz televiziv “Sky”, dhe ku foli për këtë arritje. “Kualifikimi në Evropian është gëzimi më i madh në karrierën time, – ka deklaruar ai gjatë intervistës në fjalë.
“Më të vërtetë një përvojë shumë e bukur, – ka vijuar 60-vjeçari. – Mendoj se i kam shpërblyer të gjithë dashurinë që më fali populli shqiptar. Ata janë njerëz të mëdhenj, të cilët në të kaluarën kanë vuajtur shumë. Ata meritojnë që të kenë gëzime të tilla. Gjatë festimeve isha në skenë dhe ndieja një kënaqësi të madhe kur shikoja të tjerët që ishin aq të lumtur dhe po festonin.”
De Biazi i ka dhënë përgjigje edhe një debati që po zhvillohet në opinionin sportiv prej disa ditësh, që është rinovimi i kontratës së tij me Kombëtaren kuqezi. “Ajo automatikisht rinovohet deri më 2017, – është përgjigjur 60-vjeçari gjatë intervistës me Di Marcion. – Tani do të diskutojmë disa gjëra, pasi deri më tani kam fituar pak. Ëndrra për të fituar Evropianin?”
“Në futboll kurrë mos thuaj kurrë, por gjëra të tilla vetëm sa na shtojnë presionin”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares kuqezi, Xhovani Di Biazi.