AlbanianSport.com 20.10.2015 18:00
ASNN – Partizani kërcënon hapur Federatën Shqiptare të Futbollit, pasi dyshon se kjo e fundit po favorizon kampionen në fuqi, Skënderbeun, nëpërmjet lëvizjes së orareve të ndeshjeve, gjë që sipas “Demave të kuq”, cënon drejtpërdrejt integritetin e garës në kampionat.
Nëpërmjet një komunikate zyrtare për mediat, nxjerrë në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, klubi i kuq bën të ditur se postimi i ndeshjes Partizani-Skënderbeu për të hënën është e patolerueshme dhe nuk mund të pranohet nga kryeqytetasit, sepse në kalendar kjo ndeshje është e planifikuar të luhet ditën e shtunë.
Partizani pranon se, për shkak të angazhimeve të Skënderbeut në Ligën e Evropës mund të shtyhet me një ditë, pra për të dielën, por kurrsesi për të hënën, sepse kështu cenohet gara dhe “fair-play”.
“Klubi Partizani bën me dije se nuk do të pranojë asnjë kërkesë për shtyrje tjetër të ndeshjes nga ana e K.F. Skënderbeut, përveç sa është parashikuar në Rregulloren e lart përmendur”, – theksojnë të kuqtë kryeqytetas.
“Çdo vendim tjetër që bie ndesh me këto parashikime do të konsiderohet si cenim i rëndë i integritetit të garës. Klubi Partizani shpreson të gjej mirëkuptimin dhe bashkëpunimin për kërkesën e bërë nga ana e Institucionit më të lartë të Futbollit”, -thuhet ndër të tjera në komunikatën e klubit “Partizani”