Gjergj Vyshka 13.10.2014 10:25
Rekordi kombëtar i kërcimit së gjati ka disa kohë që është thyer dhe rekordmeni i kërcimit së gjati në Shqipëri është shkodrani Izmir Smajlaj me 7.78 metra. Megjithatë 21 vjeçari mund dhe duhet ta thyjë sërish atë. Në shifra edhe shumë më të larta. Mosha e tij shumë e re, të dhënat e shkëlqyera dhe puna që bën me trajnerin Vildan Tufi, janë treguesit që na bëjnë të besojmë këtë gjë.
Por problemi kryesor për këtë sportist elitar është mungesa e garave ndërkombëtare. Këtë shqetësim e ka ngritur në një prononcim për mediat sportive lokale në Internet, trajneri Tufi kur ka thënë: “Ne vazhdojmë të punojmë me shumë intensitet çdo ditë. Izmir po kalon një formë shumë të mirë dhe duhej që në këtë periudhë të merrte pjesë në ndonjë garë ndërkombëtare, por mundësitë nuk janë nga ana e Federatës.”
“Të mos harrojmë se që nga muaji gusht, ai nuk ka marrë pjesë në asnjë veprimtari, – ka vijuar ai. – Kjo nuk është shumë normale për një sportist elitar që kërkon të thyejë sërish rekorde. Përpos kësaj, mosmarrja pjesë në gara natyrisht që e ul disi edhe impenjimin në stërvitje, sepse nuk e dimë kur do zbresim sërish në pistë për të garuar zyrtarisht.”
“Pavarësisht të gjitha këtyre vështirësive, jemi munduar të bëjmë më të mirën në stërvitje dhe të ruajmë formën me aq sa mundemi, duke shpresuar edhe për kushte të mira atmosferike sa më gjatë. Sepse ndryshe do na vështirësohen edhe më shumë gjërat”, – ka përfunduar trajneri i Izmir Smajlajt, Vildan Tufi.