Disiplina e parë sportive, e cila nisi veprimtarinë e përballjes midis skuadrës së sportistëve shqiptarë dhe italianë ishte ndeshja e “Kikboks”-it. Kjo është një disiplinë sportive luftarake e dalë tradiconalisht nga karateja, boksi tajlandez dhe ai perëndimor. Ndeshja u zhvillua midis shqiptarit Dorian Damiani dhe italianit, Paolo Inkampo, që të dy të grupmoshës 16-17 vjeç.
Për Damianin ishte hera parë në ring, ndërsa kundërshtari i tij, Inkampo, kishte një përvojë shumë herë më të madhe. Fillimi i ndeshjes ishte me një intensitet të lartë dhe Damiani sulmoi furishëm Inkampon. Por përvoja më e madhe e italianit dhe qetësia në ring, i mundësoi atij të korrte fitoren, por jo pa vështirësi.
Ndërkohë, të parët që hapën siparin e ndeshjve të MMA-së ishin Leonardo Kalderixhi, nga skuadra italian edhe Gerti Mezini, nga skuadra shqiptare. Kjo ishte edhe një nga ndeshjet më të gjata të këtij kampionati. Fizikisht Mezini tregoi një përgatitje më të mirë në ring dhe shfrytëzoi goditjet me grushte, që ishin pika e tij më e fortë.
Nga ana e tij, Kalderixhi bëri një mbrojtje të mirë, duke pritur që kundërshtari i tij të harxhonte energji, përpara se të bënte sulmet e radhës. Gjatë gjithë kohës italiani ishte më i qetë se kundërshtari i tij. Në fund ndeshja u mbyll me fitoren e Kalderixhit, ndaj të cilit Mezini shkaktoi disa faulle teknike.
Ndeshja e radhës ishte midis sportistit italian, Alesandro Sanati, dhe atij shqiptar, Jozefin Hila. Kjo ishte një ndeshje e shkurtër, por shumë intensive në përballje. Hila me të nisur ndeshja u përqendrua në përdorimin e goditjeve me shkelma dhe grushte, që ishin pika e tij e fortë. Ndërsa Sanati u përqendrua në teknikat e kapjes që lejohen në sportin e MMA-së. Ishte pikërisht kjo njohuri e Sanatit që i dha epërsi teknike ndaj kundërshtarit të tij e për rrjedhojë edhe fitore.