AlbanianSport.com 18.10.2015 17:05
ASNN – Trajneri Sulejman Starova është treguar i kënaqur dje me fitoren e skuadrës së tij, madje duke thënë se Partizani është për titull. Fitorja në Ballsh ka qenë për të mjaft e nevojshme dhe në momentin e duhur, ndërkohë që presioni tani është vetëm tek Skënderbeu i Mirel Josës. “Koeficienti i vështirësisë ishte shumë i lartë dhe nuk duhet të mendonim që Bylisi të binte në fund”, – ka deklaruar trajneri i të kuqve kryeqytetas.
“Nuk e meritojnë vendin qe kanë në klasifikim, – ka vijuar ai. – Një fitore që na jep mundësi të punojmë me të qetë sepse kampionati sapo ka filluar. Me Skënderbeun kemi 4 ndeshje, me Tiranën 3 të tjera.” I dëshpëruar për faktin që Bylisi humbi dy pikë në minutat e fundit, trajneri i ballshiotëve, Mauro De Vekis, u shpreh se nuk ka patur shumë kohë në dispozicion për të punuar me skuadrën.
“Kemi nisur të punojmë vetëm para pak kohësh dhe kuptohet nuk kemi patur mundësi të bëjmë shumë gjëra, – ka thënë italiani. – Skuadra ruajti ekuilibrat thuajse gjatë gjithë ndeshjes, por u ndëshkuam vetëm në fund. Deri në atë momente po luanim mirë. Ndoshta na mungoi ana fizike për të arritur të bënim diçka më shumë në sulm. Në këto momente Partizani duket mjaft i fortë dhe ka rritje të vazhdueshme të paraqitjes.”