AlbanianSport.com 18.10.2015 09:45
ASNN – Që prej të shtunës në mbrëmje, Shkëlqim Muça, nuk është më trajner i Tiranës. Edhe pse firmosi një kontratë afatgjatë, konkretisht 3-vjeçare, rrugëtimi i aventurës së tij në krye të bardhebluve nuk zgjati më shumë se 9 ndeshje zyrtare.
Sipas një komunikate për shtyp të klubit bardheblu, “në përfundim të ndeshjes me Flamurtarin, Klubi i Futbollit “Tirana”, për shkak të rezultateve jo të mira, ka mbyllur bashkëpunimin me trajnerin Shkëlqim Muça”.
“Drejtuesit i kanë komunikuar trajnerit largimin dhe arsyet e kësaj ndarjeje, – vijon më tej komunikata në fjalë. – Në 7 javët e para të kampionatit, përkundër pritshmërive, skuadra nën drejtimin e Muçës ka marrë më pak se 40 % të pikëve, një ecuri kjo aspak pozitive.”
“Duke parë situatën e krijuar pas barazimit në shtepi me Flamurtarin, drejtuesit e klubit kanë zhvilluar një mbledhje urgjente, për të marrë këtë vendim”, – përfundon komunikata e klubit bardheblu.
Shkëlqim i drejtoi kryeqytetasit në 7 javë kampionat dhe 2 takime Kupe. Bilanci në Kategorinë Superiore është me 2 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje (renditen në vendin e 5-të, me 9 pikë), ndërsa në Kupën e Shqipërisë i kanë fituar të dyja takimet kundër Erzenit.