AlbanianSport.com 16.10.2015 23:15
ASNN – Duket se UEFA praktikisht e ka falur Lokomotivën e Moskës për racizmin ndaj shqiptarëve, pasi ka vendosur të mbyllet sektori i stadiumit kryeqytetas dhe të klubi të ndëshkohet me 20 mijë euro gjobë. Kështu, Komisioni i Disiplinës në UEFA-s ka falur Lokomotivën e Moskës, duke i dhënë klubit rus ndëshkime të lehta, pas koreve raciste të tifozëve të tij në ndeshjen e fundit të Ligës së Evropës kundër Skënderbeut.
Megjithëse ndeshja u ndërpre për pak minuta pas thirrjeve “Vdekje Shqiptarëve” dhe “Kosova është Serbi”, disiplinori i UEFA-s është mjaftuar me 20 mijë euro gjobë. Po ashtu, në ndeshjen e radhës në Ligën e Evropës kundër Beshiktashit, sektori i stadiumit nga erdhën thirrjet raciste do të jetë i mbyllur për tifozët, ndërsa aty do të vendoset një banderolë ku dënohet racizmi.
Kësisoj, UEFA ka dënuar koret raciste në drejtim të lojtarëve të Skënderbeut, në përballjen e 1 tetorit me Lokomotivën në Moskë, të vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Në mbledhjen e fundit, Komisioni i Disiplinës vendosi të boshatisë atë sektor të stadiumit ku u dëgjuan thirrjet; “Vrite shqiptarin” dhe “Kosova është Serbi”. Në sfidën e radhës brenda në shtëpi të Lokomotivës së Moskës, atë ndaj Beshiktashit më 22 tetor, në vend të spektatorëve, aty do të ketë një parrullë; Jo racizmit.
UEFA vendosi ta gjobisë edhe me 20 mijë euro klubin moskovit, që një ditë pas ngjarjeve kërkoi ndjesë, duke shtuar se nuk do të lejojë më ngjarje të tilla. Thirrjet ndaj lojtarëve të Skënderbeut gjatë takimit të fazës së grupeve të Ligës së Evropës ndalën për disa çaste takimin, pas ankesës së kroatit të Skënderbeut, Marko Radas. Ato u raportuan nga delegati i ndeshjes që përpiloi raportin.