AlbanianSport.com 16.10.2015 13:30
ASNN – Pas kualifikimit me Shqipërinë, Elseid Hysaj kërkon titullin me Napolin dhe thotë: “Ëndrrat bëhen realitet”. Kështu, Pas kualifikimit me Shqipërinë në “Euro 2016”, Elseid Hysaj kërkon të fitojë edhe titullin “kampion” me Napolin në kampionatin italian. Mbrojtësi 21-vjeçar është shprehur se ashtu si me skuadrën kuqezi, ëndrrat mund të bëhen realitet.
Në fillim erdhi transferimi te Napoli dhe më pas kualifikimi me Shqipërinë në Euro 2016. Megjithëse vetëm 21-vjeç, Elseid Hysaj duket se ka kapur shpejt majën e karrierës së tij. I kthyer në një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës napolitane, mbrojtësi nuk kënaqet me kaq. I bashkuar me ekipin e tij pas festës me përfaqësuesen shqiptare, Hysaj kërkon të fitojë titullin “kampion” edhe në Serinë A.
Një objektiv i vështirë jo i pamundur për lojtarin, që i kujton gazetarëve italianë se edhe te suksesi i Shqipërisë besonin shumë pak njerëz. “Është shumë shpejt të flasim për titullin, – është shprehur Hysaj për mediat italiane. – Është mirë të qëndrojmë me këmbë në tonë dhe të marrim ndeshjet me radhë. Gjithsesi mund të ëndërrojmë. Edhe me Shqipërinë ëndërroja kualifikimin dhe ndonjëherë ëndrrat realizohen.”
Mbrojtësi shkodran u transferua te Napoli, pas paraqitjes së shkëlqyer me Empolin. Ndryshimet mes dy skuadrave janë të mëdha, por kjo nuk e ka penguar atë të fitojë shpejt rolin e lojtarit të pazëvendësueshëm. Elseid Hysaj ka luajtur në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni në Serinë A, ndërsa përpara tre javësh ai fitoi edhe një vend në formacionin më të mirë të ligave evropiane të publikuar nga “France Football”.