Gjergj Vyshka 16.10.2015 12:25
Mbrëmë, në Stara Zagora të Bullgarisë, ka përfunduar java e parë e Ligës Ballkanike në Basketboll për Meshkuj e vlefshme për sezonin 2015-2016. Pas fitores së Bashkimit të Prizrenit, ndaj Pejës 82-73 të martën, për kosovarët ka ardhur një tjetër sukses. Këtë herë është SIGAL Prishtina, e cila ka triumfuar në vizitën bullgare përballë Beroe Stara Zagorës.
80-73 për prishtinasit ka qenë rezultati përfundimtar i ndeshjes, ndërsa SIGAL Prishtina ka arritur të përmbysë shifrat pas humbjes në pjesën e parë 13-19. Në të dytën, shifrat janë 22-13 në favor të kosovarëve, të cilët në pushim të ndeshjes shkojnë në epërsi 35-32. Epërsi kjo që vjen duke u thelluar në të tretën, atëherë kur SIGAL Prishtina ka fituar 22-20 dhe në total 57-52.
Dhe e fundit, 23-21 për SIGAL-in, në total 80-73 për kosovarët. Një formacion me një shumicë të huajsh, atje ku El-Amin me 26 pikë dhe Abukar me 17 pikë janë shënuesit më të mirë të ndeshjes. Këtë takim e kanë gjykuar tre gjyqtarë rumun Florin Grigoras, Siprian Stoica dhe Laslo Bukureshti. Ndërkohë po për javën e parë të Ligës Ballkanike, malazezët e Mornar kanë fituar në fushë të huaj ndaj Kozuvit, 79-63.
Po kështu ka bërë dhe Teodo, që ka regjistruar rezultatin më të thellë të javës së parë, 78-55 ndaj Lovçen Basketit.