AlbanianSport.com 15.10.2015 22:10
ASNN – SIGAL Prishtina e ka nisur me fitore edicionin e ri në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj. Kampionët në fuqi të kësaj veprimtarie e kanë nisur me fitore sezonin e ri duke u treguar më të fortë përball klubit bullgar, BC Beroe.
Ndeshja, e cila ishte e vlefshme për grupin A, u zhvillua në Pallatin e Sportit në Stara Zagora të Bullgarisë dhe përfundoi me fitoren e mysafirëve, SIGAL Prishtinës, me rezultatin 73-80.
Kështu, bardhekaltërit kryeqytetas e kanë nisur me fitore rrugën për mbrojtje të titullit në Ligën Ballkanike, pasi skuadra kosovare mposhti Beroen në Bullgari me rezultatin 80-73.
Në fakt, takimi nisi më mirë për vendasit, që krijuan epërsi prej gjashtë pikësh në periudhën e parë, por që u shua qysh në çerekun e dytë në të cilin Prishtina fitoi me nëntë pikë epërsi. Edhe dy periudhat e tjera ishin në favor të Prishtinës.
Tihomir Zhelev ishte lojtari më i dalluar i Beroes, me 14 pikë të shënuara, ndërsa te “Plisat” u dallua Khalid El-Amin, me 21 pikë të realizuara. Dy skuadrat e tjera kosovare, Bashkimi dhe Peja, u ndeshën të martën në Prizren dhe takimi u fitua nga vendasit.