AlbanianSport.com 15.10.2015 16:45
ASNN – Ndonëse Shqipëria u kualifikua për në fazën finale të një Evropiani falë edhe punës së trajnerit Xhovani De Biazi, mes tij dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) duket se ka mosmarrëveshje për rinovimin e kontratës. Qartazi pas ndeshjes palët u panë disi larg, edhe pse gjuha e përdorur ishte e moderuar. Madje kryeministri Rama i kërkoi publikisht, Presidentit të FSHF-së, Armando Dukës rinovimin e kontratës me italianin e shqiptarizuar.
Trajneri italian tha se kontrata e tij rinovohej automatikisht, sepse ky paskësh qenë një premtim publik i Dukës, ndërsa presidenti i FSHFsë, nga ana tjetër, nuk e mohoi këtë fakt, por i përplasi në fytyrë trajnerit diferencën në shifra. Më i qartë ishte menaxheri i ekipit Kombëtar, Alban Bushi, i cili tha se Shqipërisë i janë ofruar shumë trajnerë të mëdhenj. “De Biazi ka një kontratë deri në fund të Evropianit dhe më pas mbaron!” – , tha Bushi për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”.
“Ai është i pari në listë, por Shqipërisë në këto momente që flasim i janë afruar shumë trajnerë të mëdhenj nga bota e futbollit“, – vijoi ish-futbollisti i Kombëtares për të përditshmen në fjalë. Duke reflektuar një prirje të nisur si gabimisht nga shefja e zyrës së shtypit në organizmin që qeveris futbollin shqiptar, meritat për kualifikimin, Bushi nuk ia njeh De Biazit, por ekipit dhe çdo shqiptari. “Kam dëgjuar që të flitet shumë se kush i ka meritat më të mëdha për këtë arritje historike”, – ka thënë ai për “Panorama Sport”.
“Për mendimin tim, meritat i kanë të gjithë shqiptarët anembanë botës, – ka vijuar Bushi. – Meritat i kanë të gjithë ata djem që dhanë 200% në fushën e lojës, por merita më e madhe është e një njeriu të vetëm që quhet Armando Duka. Ai e bëri këtë popull të gëzojë njëherë në historinë e tij ashtu siç i ka hije. Na bëri të ndihemi krenarë. Na bëri që kudo që të shkojmë të themi me zë të lartë se jemi shqiptarë.”