AlbanianSport.com 12.10.2014 23:45
ASNN – Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shpallur për herë të parë kampione të botës në volejboll për femra, pasi në finalen e madhe të së dielës, triumfuar ndaj Kinës me rezultatin 3-1. Ndërsa në duelin për vendin e 3-të dhe të 4-t, Brazili i ka mohuar përfaqësueses së vendit organizator, Italisë, edhe medaljen e bronztë.
Sikundër të gjitha evenimentet madhore sportive, edhe Kampionati Botëror i Volejbollit për Femra u soll për sportdashësit përgjatë 3 javëve të tij, drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kampionati Botëror i Volejbollit për Femra, që u mbajt në Itali përgjatë 3 javëve të fundit ka ulur të dielën në mbrëmje siparin e tij, duke kurorëzuar, për herë të parë në histori, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si kampione të botës.
Ndërsa në duelin për vendin e 3-të dhe të 4-t, Brazili i ka mohuar përfaqësueses së vendit organizator, Italisë, edhe medaljen e bronztë. Në fakt, amerikanet kanë triumfuar falë gjakftohtësisë në duelin final me Kinën, ku aziatiket treguan se kishin ardhur jo më kot në finale dhe, se me një skuadër mjaft të re në moshë, do të jenë kandidate serioze për kurorën e më të mirave të botës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë fituar setin e parë 27-25 dhe atë të dytin 25-20. Por Kina është kundërpërgjigjur në setin e 3-të, duke e fituar atë bindshëm 25-16. Për këtë arsye, seti i 4-t ka rezultuar vendimtar për fatin e kësaj finaleje, dhe, janë amerikanet që triumfojnë me shifrat 26-24 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm, 3-1.