AlbanianSport.com 15.10.2015 14:35
ASNN – Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, po kërkohet nga klube në Serinë A të futbollit italian. Loja e mirë e qendërmbrojtësit kuqezi që militon në kampionatin zviceran dhe goli i shënuar në ndeshjen e fundit me Armeninë kanë tërhequr vëmendjen e mjaft klubeve italiane.
Kështu, Berat Gjimshiti është futbollisti i fundit i Kombëtares që kërkohet nga skuadrat italiane. Me kualifikimin historik në fazën finale të Kampionatit Evropian dhe Xhovani De Biazin në drejtim, Kombëtarja është shndërruar në vitrinën e futbollistëve shqiptarë në Itali.
Brezi i ri i talentëve kuqezi mbetet vazhdimisht në vëzhgimin e mediave dhe klubeve të Serisë A. I fundit që iu shtua listës është mbrojtësi Berat Gjimshiti. Sipas “Corriere dello Sport “, sektori “zbuluesi i talenteve” e vlerëson lart mbrojtësin e qendrës, që u shndërrua në protagonist në fazën e fundit të Eliminatoreve.
E përditshmja sportive italiane në fjalë theksonte se 22-vjeçari që luan te FC Zyrihu dhe u zbulua nga De Biazi, ka luajtur katër ndeshje si titullar me përfaqësuesen dhe shënoi një prej golave të fitores 3-0 në Armeni, rezultat që i dhuroi Shqipërisë kualifikimin direkt në fazën finale të turneut kontinental vitin e ardhshëm në Francë.
Gjimshiti vlerësohet për forcën fizike, lartësinë 1 metër e 90 centimetra, por edhe për faktin se përveçse në qendër, mund të luajë pa probleme edhe si mbrojtës krahu. “Corriere Dello Sport” thekson se titullarit të Zyrihut në Superligën zvicerane i përfundon kontrata me klubin më 30 qershor 2016 dhe ky mund të jetë një rast mjaft i mirë në merkato për klubet italiane.