AlbanianSport.com 15.10.2015 08:05
ASNN – Suksesi në Eliminatoret e Kampionatit Evropian është lënë pas dhe festimet e gjata e të mëdha për këtë arritje shpejt po harrohen, pasi Shqipëria nuk dëshiron të jetë në “Francë 2016” një numër thjesht pjesëmarrës apo për turizëm, përkundrazi, ajo synon që të lerë gjurmë në këtë veprimtari. Për të mundësuar qëndrimin e ekipit në nivele të larta, trajneri Xhovani De Biazi ka kërkuar zhvillimin e të paktën një miqësoreje në muajin nëntor.
Kjo edhe për të parë gjendjen e ekipit dhe krahasimin e tij me skuadra të një niveli më të lartë. Në fillim u përmend si alternativë Polonia, por FSHF ka bërë të ditur për mediat se po negocionin me Kroacinë dhe Bullgarinë, deri në realizimin e njërës prej këtyre dy mundësive. Vetë De Biazi preferon Kroacinë, pasi ajo ka një futboll më cilësor dhe ekipi i saj ka një ecuri të veçantë, nisur dhe nga përbërja me lojtarë cilësorë e përfaqësueses
kroate.
Pjesëmarrja në Kampionatin Evropian, ku luajnë ekipet më të mira të kontinentit, e bën të detyrueshme që edhe rivalët të jenë cilësorë. Kroacia është një skuadër që nuk ka nevojë për koment. Një ekip me mjaft yje në kontingjent dhe gjithmonë protagoniste në evenimentet madhorë të futbollit, padyshim një nga pasardhëset më të denja të shkollës së mirënjohur jugosllave të futbollit në gjysmëshekullin e fundit.