AlbanianSport.com 14.10.2015 09:45
ASNN – Përtej jehonës së kualifikimit të Kombëtares së të rriturve në “Euro 2016”, edhe përfaqësuesja kuqezi e Nën-21-vjeçarëve, që njihet ndryshe si “Shpresat”, ka marrë një rezultat pozitiv të martën në mbrëmje, pasi ka barazuar 2-2 në Hungari me përfaqësuesen vendase të kësaj grupmoshe. Tashmë, vendin e parë në renditjen e grupit të 4-t eliminator e mban Portugalia me 9 pikë, e ndjekur nga Shqipëria me 5 pikë, Hungaria dhe Izraeli me nga 4 pikë dhe Greqia me 3.
Përfaqësuesja e Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë ka marrë një barazim 2-2 në Hungari përballë homologëve vendas, duke marrë edhe vendin e dytë të renditjes së grupit të 4-t eliminator të Evropianit 2017 të kësaj grupmoshe. Në takimin e zhvilluar të martën në mbrëmje, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Redi Jupi, ka kaluar dy herë në epërsi, madje duke i mbyllur 45 minutat e para në epërsi, por Nën-21-vjeçarët vendas janë kundërpërgjigjur dy herë, duke marrë një pikë nga kjo sfidë.
Rej Manaj, futbollisti i talentuar që militon në radhët e Interit në Serinë A, ka gjetur i pari rrugën e rrjetës për Shqipërinë, në minutën e 24-t, por Proser barazoi shifrat vetëm 4 minuta më pas. Ndonëse Liridon Latifi i kalon sërish Shpresat në epërsi, me golin e realizuar dy minuta para përfundimit të pjesës së parë, Proser do të realizojë sërish në pjesën e dytë, duke firmosur golin e tij të dytë në këtë takim dhe duke i siguruar hungarezëve një pikë mjaft të vlefshme.
Vendin e parë në renditjen e grupit të 4-t e mban Portugalia me 9 pikë, e ndjekur nga Shqipëria me 5 pikë, Hungaria dhe Izraeli me 4, Greqia me 3 dhe Lihtenshtejni me 0 pikë.