AlbanianSport.com 13.10.2015 07:55
ASNN – Fushata e Eliminatoreve të Evropianit “Francë 2016” ka luajtur mbrëmë aktin e parafundit të fazës së ndeshjeve në grupe dhe Rrjeti i Radio-Televizionit ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt takimin e fundit të grupit C, atë midis Ukrainës dhe Spanjës. Ndërkohë që iberikët ishin kualifikuar, madje edhe si kryesuese e grupit, për vendasit kjo sfidë ishte një betejë për “jetë a vdekje”, pasi vendoste kualifikimin për më tej.
Megjithatë, kampionët në fuqi të Evropës nuk kanë lëshuar, duke fituar me një gol të realizuar nga Gaspar në minutën e 22-të dhe duke shkuar madje dëm edhe një 11-metërsh 3 minuta më pas. Kjo fitore e spanjollëve, e ndërthurur me fitoren 4-2 të Sllovakisë në Luksemburg, ka nënkuptuar se janë sllovakët ata që shkojnë automatikisht në fazën finale të Evropianit të vitit të ardhshëm, si vendi i dytë i grupit.
Ndërsa Ukraina do ta provojë edhe një herë fatin, pasi biletën e kualifikimit do ta kërkojë në dy sfidat e “plej-of”-it. Shorti i fazës së grupeve do të hidhet në Paris më 12 dhjetor 2015, ndërsa, për herë të parë, Evropiani do të ketë 24 skuadra, duke lënë pas kështu formatin me 16 skuadra që është aplikuar që në vitin 1996. Kampionati do të nisë më 10 qershor dhe do të përfundojë më 10 korrik 2016.