AlbanianSport.com 12.10.2015 10:40
ASNN – Trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, ndihet i zhgënjyer, teksa thotë: “Nuk është mirë që na la prapa Shqipëria”. Trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, ka mbetur shumë i zhgënjyer nga fitorja e Shqipërisë në Danimarkë, rezultat që e detyron skuadrën e tij që ta kërkojë kualifikimin nëpërmjet “play-off”-it.
Duke folur për mediat e vendit të tij, Olsen, u shpreh se nuk është mirë që një ekip si Danimarka u la pas nga Shqipëria, që cilësohet si më e dobët. Gjithsesi, Olsen pranoi se danezët e patën fajin vetë që përfunduan në vendin e tretë, pasi nuk luajtën mirë në të gjitha ndeshjet.
Ai u shpreh se futbollistët e tij dhanë më pak se mundësitë e veta. “Që të kualifikohesh për në Evropian duhet të jesh i qëndrueshëm”, – ishin fjalët e trajnerit 66-vjeçar që do të largohet nga drejtimi i përfaqësueses daneze në përfundim të këtij turneu. Ndërkohë, mediat daneze e kanë quajtur fitore historike atë Shqipërisë në Armeni.
Fitorja e Shqipërisë në Armeni, që kualifikoi për të parën herë kuqezinjtë në Kampionatin Evropian, është komentuar gjerësisht edhe në mediat daneze. E përditshmja “Jyllandsposten” shkruan: “Shqipëria çon Danimarkën në “play-off”, pas fitores në Armeni.
“Përfaqësueses daneze nuk i erdhi asnjë ndihmë nga Armenia, – vijon gazeta në fjalë.- Rruga drejt Evropianit kalon tashmë përmes dy ndeshjeve të vështira.” “Extrabladet”, një tjetër e përditshme daneze, thotë se Shqipëria shkroi historinë, duke i dërguar danezët në errësirën e “play-off”-it.
Për “BTSport” gjithçka është tronditëse. “Nuk ka mëshirë nga Armenia për Evropianin dhe Danimarkës i duhet të ndjekë një tjetër rrugë”, – shkruan ajo. “Një Shqipëri e qartë dhe gati për Evropianin. Danimarka spostohet në “play-off””, – shkruan e përditshmja tjetër, “Sportdenamark”.
Nga ajo çfarë shkruajnë mediat vendase, vërtetohen fjalët e trajnerit Morten Olsen, Shqipëri-Armeni do të ishte një makth për të dhe ekipin që ai drejton!