AlbanianSport.com 12.10.2015 07:55
ASNN – Një fitore, e për më tepër ndaj një rivaleje të drejtpërdrejtë në betejën për më titull, dhe një lojë e jashtëzakonshme, e kurorëzuar me shpalljen si “Lojtarja më e Vlefshme e Ndeshjes” (MVP), kanë qenë mënyra më e mirë për të nisur një sezon të ri dhe me një skuadër të re për volejbollisten shqiptare, Arjola Prenga. Sportistja shqiptare, e cila është në sezonin e 4-t të saj në volejbollin norvegjez, por tashmë me një skuadër të re, është rikthyer në formën e saj në të mirë në takimin që ngriti siparin e edicionit të ri.
29-vjeçarja e udhëhoqi skuadrën e saj të re, Randabergun, në fitoren e javës së parë të Kampionatit Norvegjez të Volejbollit për Femra ndaj Oslo Volejit. Pas shpërbërjes së kampiones në fuqi, Stod Volejit, me të cilin Arjola luajti për 3 sezone, duke fituar dy herë kampionatin dhe Kupën e Norvegjisë, si dhe duke u kurorëzuar 3 herë kampione e Ligës Rajonale Nordike, skuadra e re e shqiptares ka vendosur menjëherë kandidaturën si pretendente për trofe, me atë fitore bindëse që arriti në sete në shtëpinë e saj ndaj rivales kryeqytetase.
Ndonëse vinte si favorite në këtë fillimsezon, Oslo Voleji e ka gjetur veten përballë një sfide të vendaseve, të cilat, të udhëhequra nga kapitenia shqiptare, kanë luftuar pikë për pikë në setin e parë, që rezultoi të ishte edhe më vendimtari. Në këtë set, ku Prenga dha maksimumin për lojën e skuadrës, Randabergu fiton 25-23, ndërsa dy setet e tjera kanë qenë “rrugë me një kalim për vendaset. Skuadra e Arjolës kryesoi bindshëm, 11-1, përpara se Oslo Voleji të zgjohej, por atëherë ishte shumë vonë dhe shumë pak, pasi Randabergu e fiton setin fiton 25-11.
Kjo bëri që vendaset të shkonin me një epërsi psikologjike në setin e tretë, të cilin e kanë fituar 25-17 dhe të gjithë takimin me rezultatin e përgjithshëm 3-0. Loja e Arjola Prengës erdhi gjithmonë e më në rritje në dy setet e fundit, duke u konkretizuar edhe me pikë, sidomos drejt fundit të ndeshjes, ku 29-vjeçarja e mbylli me 17 pikë të realizuara, çka përbën 1/3-tën e pikëve të realizuara nga skuadra e saj (54), pasi 21 pikët e tjera erdhën si rrjedhojë e gabimeve të kundërshtareve. Kjo bëri që volejbollistja shqiptare të shpallej “Lojtarja më e Vlefshme e Ndeshjes” (MVP).
Shqiptarja fitoi njëkohësisht edhe “duelin” me shoqen e saj të skuadrës, Henrietë Andersenit, e cila realizoi 15 pikë në këtë takim. Pas ndeshjeve të para, Randabergu ka marrë kryesimin e renditjes së Kampionatit Norvegjez të Volejbollit për Femra, me 3 pikë, po aq sa kanë edhe Kolli dhe Oslo Voleji, por këto dy të fundit kanë luajtur një ndeshje më tepër. Takimi i radhës për volejbollisten shqiptare dhe skuadrën e saj është ai 24 tetorit 2015, kur Randabergu do të presë në fushën e vet Nyborgun.