Gjergj Vyshka 11.10.2015 23:40
Për delegatët e klubeve në Asamblenë e Federatës Shqiptare të Volejbollit, kanë qenë dy variante për transferimin e lojtarëve. Versioni i parë, ishte versioni A, e më konkretisht: Transferimi (lëvizja) për të gjithë lojtarët meshkuj dhe femra të cilët nuk do të kenë kontratë individuale të noterizuar me klubin/shoqatën sportive do të jetë pa asnjë detyrim financiar. Klubi apo shoqata sportive që merr lojtarin paguan vetëm taksën në sekretariatin e FSHV-së prej 20.000 lekë për çdo lojtar.
Kontratat për transferimin (lëvizjen) e lojtarëve brenda vitit bëhen nga mosha 14-18 vjeç dhe 18-30 vjeç si për meshkuj ashtu edhe për femra. Klubet/shoqatat sportive janë të detyruara të bëjnë kontrata individuale ligjore me sportistët e tyre që marrin pjesë në aktivitetet zyrtare të FSHV-së. Kurse versioni B, që edhe u votua nga delegatët, por që u kundërshtua nga drejtori i sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, shefi i sportit elitar në këtë dikaster, Arjan Konomi, dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, ishte si vijon:
Transferimi (lëvizja) për të gjithë lojtarët meshkuj dhe femra të cilët nuk do të kenë kontratë apo aktmarrëveshje individuale me klubin/shoqatën sportive do të bëhet kundrejt shumës 200.000 (dyqind mijë) lekë për çdo sportist. Klubi apo shoqata që merr lojtarin apo lojtaren në këtë rast duhet t’i likujdojë klubit apo shoqatës me të cilën lojtari është aktivizuar në sezonin e fundit sportiv shumën prej 200.000 (dyqind mijë) lekë.
Pa likuiduar shumën prej 200.000 (dyqind mijë) lekë lojtari/lojtarja nuk mund të pajisen me licencë për tu aktivizuar. Kundërshtimi ishte sepse është cilësuar si nen anti-ligjor. Gjithsesi Federata Shqiptare e Volejbollit i ka zgjedhur forumet e saj dhe Erlind Pëllumbi është presidenti i ri.