AlbanianSport.com 11.10.2015 21:25
ASNN – Tashmë shqiptarët nuk i ndal më askush. Ata kanë siguruar një biletë për në Francë. Pavarësisht shiut të madh që ka pushtuar vendin, me qindra tifozë të kombëtares kanë dalë në rrugët e kryeqytetit për të festuar. Mësohet se jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha qytetet e Shqipërisë, por edhe në Kosovë, Maqedoni dhe në të gjitha shtetet ku ata jetojnë kanë nisur festimet.
Shqipëria fitoi 0-3 në Armeni ndeshjen e fundit në grup, duke siguruar pjesëmarrjen direkte në “EURO 2016” pa pasur nevojë të zhvillojë ndeshje në “play-off”. Këtë gjë tashmë duhet ta bëjë Danimarka që renditet e treta, ndërsa Portugalia është në vendin e parë në grup. Fishkëllima e fundit në Jerevan të Armenisë bëri që të shpërthejë festa në sheshet kryesore të vendit.
Në Tiranë qindra të rinj e të reja me flamuj kombëtarë sfiduan shiun dhe dolën në rrugë. Nuk mungonin këngët dhe brohoritjet për kombëtaren. E njëjta atmosferë edhe në Durrës. Në Elbasan, qendra e qytetit u pushtua nga fishekzjarret. Shkodra gjithashtu ka festuar gëzimin që dhanë djemtë e kombëtares për kualifikimin. Atmosferë festive kishte edhe në Vlorë.
Në Korçë gjithashtu nuk munguan festimet, ndërsa festë kishte edhe në Lezhë. Por festa e shqiptarëve i kaloi kufijtë. Në festë ishte edhe sheshi në qendër të Prishtinës. Të ftohtin dhe shiun e sfiduan edhe shqiptarët e Tetovës. Nuk mungojnë në rrjetete sociale video të shqiptarëve që festojnë në kryeqytete evropaine dhe deri përtej Atlantikut, në SHBA.