AlbanianSport.com 10.10.2015 13:30
ASNN – Vijon të plotësohet tabloja dhe Spanja dhe Zvicra janë ekipet e radhës që janë kualifikuar për në fazën finale të “Euro 2016”-s nga ndeshjet e zhvilluara të premten në mbrëmje, duke e çuar në 9 numrin e skuadra që e kanë arritur këtë qëllim. Një mbrëmje plot gola, ku këto përfaqësuese ishin më të suksesshmet edhe pse me kundërshtarë të një niveli të ulët.
Spanja mundi Luksemburgun me rezultatin 4-0, por, për të shënuar golin e parë, iberikëve u janë dashur 42 minuta. Me këtë sukses, ekipi “kampion” në fuqi i Evropës siguron edhe vendin e parë të renditjes, ndërsa Sllovakia dhe Ukraina duhet të luftojnë për vendin e dytë në Grupin C. Festival golash për Zvicrën, që nuk e kurseu, por e mundi me rezultatin 7-0 San Marinon.
Një triumf ky që e çon këtë ekip në fazën finale të Evropianit duke iu bashkuar Anglisë, që mbrëmë arriti fitoren e 9-të radhazi, 2-0 ndaj Estonisë. Për Zvicrën golat janë realizuar nga shtatë lojtarë të ndryshëm, ku midis tyre ishin edhe shqiptarët Admir Mehmedi e Pajtim Kasami. Në takimet e tjera veçohen fitoret e Rusisë 2-1 në fushën e Moldavisë dhe të Suedisë 2-0 në Lihtenshtejn ndaj përfaqësueses vendase.
Njëra nga këto përfaqësuese do t’i bashkohet Austrisë në fazën finale të Euro 2016 pas zhvillimit të ndeshjeve të fundit.