AlbanianSport.com 08.10.2015 19:55
ASNN – Disa orë përpara sfidës, Shqipëri-Serbi, dy trajnerët e skuadrave përkatës kanë deklaruar formacionet që do të luajnë sot në mbrëmje në Elbasan Arena. De Biazi do të luajë me një formacion 4-4-2, ndërsa homologu i tij, Çurçiç, luan me një formacion me 3 sulmues. Ndërsa vëmendja e të gjithë shqiptarëve është përqendruar në ndeshjen e mbrëmjes së sotme Shqipëri-Serbi, që do të luhet në Elbasan Arena, trajneri i kuqezinjve ka prezantuar formacionin që do të luajë në fushën e blertë.
Kuqezinjtë do të luajnë me këtë formacion: Në portë Berisha, në mbrojtje, Hysaj, Cana dhe Gjimshiti në qendër, Agolli, në mesfushë, Xhaka-Basha në qendër, dhe nga krahët Lenjani e Lila. Në sulm, Memushaj më i tërhequr në ndihmë të Balajt që është dhe sulmuesi kryesor i kombëtares sonë për këtë sfidë. Rëndësi të veçantë kësaj sfide i ka dhënë edhe Serbia.
Trajneri Radovan Çurçiç ka grumbulluar lojtarët më të mirë serbë që luajnë në skuadrat më të mira evropiane. 11 të besuarit e Çurçiçit janë: në portë Stojkoviç, në mbrojtje emra të mëdhenj, Tomoviç, Ivanoviç, Spahiç dhe Kolarov, në mesfushë Brasanac, Tadiç dhe Matiç, në sulm i vetëm Mitroviç, I ndihmuar nga dyshja Ljajiç dhe Tosiç. Këtë sfidë të rëndësishme do ta gjykojë gjyqtari i njohur italian, Nikola Ricoli.