Nga Ermal Telha 08.10.2015 19:00
Të mbështesësh Ballist Morinën në rrethanat aktuale është shërbimi më i keq që mund ti behet nga çdo shqiptar, qytetarisë dhe patriotizmit të vërtetë. E kush është ky individ që media po e trajton preferencialisht duke i dhënë më shumë kohë televizive e hapësirë mediatike sesa një doktori shkencash?! Nuk është turp t’i kërkosh Policisë së shtetit lirimin e një pseudoheroi që posedon armë pa lejë dhe qarkullon me një “Range Rover”, që një rrogëtar i ndershëm shqiptar nuk e ble dot me kursimet e tërë jetës së tij?! A nuk është ofendim që një hallexhi, siç është vetëdeklaruar Ballisti, të bëjë karshillëk me armë e makina të shtrenjta në mes të Kryeqytetit?!
Vlerat e vërteta patriotike manifestohen në qëndrime të matura, analizë joemocionale, mbështetje të arsyeshme për Kombëtaren e Futbollit, për të na nxjerrë ballëlartë nga sfida e nesërme, në mënyrë që t’i tregojmë mbarë botës që ne nuk jemi si ata atë cilët na pritën me brohoritje raciste, dhunë fizike, deklarata anti-shqiptare e antinjerëzore. Ne kemi rastin më të mirë për të bërë kontrastin me serbët e para 1 viti në stadiumin e tyre dhe kjo nuk arrihet me tentative agresioni, as me ofendime, as me dhunë fizike.
Të gjithë jemi dëshmitarë të kënaqësisë që përjetuam kur Arbitrazhi Sportiv i Lozanës i dha Shqipërisë 3 pikeshin e merituar që na shërbeu jo pak për ngjitjen në renditje. E pra, nuk duhet tu japim të njëjtën kënaqësi atyre që na dhunuan duke i kthyer reston me të njëjtën monedhë në Elbasan Arena. Atdhedashuria e vërtetë është vlerë që forcon identitetin tonë si mikpritës, dashamirës, vlerësues, qytetar, e më mirë sesa ne, askush nuk mund ta përmirësojë këtë identitet.
Do t’ju lutesha shumë të gjithë përfaqësuesve të mediave vizive e atyre të shkruara, mos i kushtoni kohë dhe hapësirë një ordineri që përbën rrezik për jetën e qytetarëve normal! Mbështesni policinë kur arreston të tillë njerëz që s’kanë as punë e as zanat, e për më tepër bëhen shembuj të këqij destabiliteti! Shqiptarët nuk janë si Ballist Morina! Mos i hyni në hak identitetit tonë me shembuj që nuk meritojnë asnjë sekondë kohë nga koha jonë!
Ju lutem, mos ushqeni histerizmin masiv që ka kapur një tufë tifozësh që pak gjëra dijnë të bëjnë në jetë. Pozicionohuni në krahun e shqiptarëve që kërkojnë përfaqësim dinjitoz, fitore futbollistike, maturi sjelljeje, standard evropian qytetarie. Mos karikoni Ballistin dhe “Ballistët” e tjerë drejt degjenerimit të situatës në dhunë e konfrontim fizik. Ata janë një rast periferik dhe nuk bëjnë asnjë ndryshim nga kushdo tjetër armëmbajtës pa lejë, janë rrezik për sigurinë time, tuajën, e të kujtdo. Lerini të reflektojnë nga burgu se ndoshta kjo i bën qytetarë më të mirë.
Nuk na duhet nacionalizmi nën presionin e armëve, nuk ndihmojmë as Kombëtaren tonë, as identitetin shqiptar duke heroizuar pseudonacionalistët e tipit “Ballist”! Ballisti dhe “Ballistët” nuk e kanë vendin në piedestal, përkundrazi, e kanë prapa hekurave kur lëvizin me armë në brez nëpër hapësira që i takojnë qytetarëve të ndershëm. Ballisti dhe “Ballistët” nuk i duhen as Shqipërisë, as shqiptarëve në këtë moment historik. Ne na duhet fitorja e djemve kuqezi dhe identiteti ynë.