Nga Adriatik Balla 08.10.2015 16:15
Ndeshja e sotme midis përfaqësueses tonë dhe asaj serbe shënon një pikë kulmore në këto eliminatore për ekipin e Xhovani De Biazit, një moment ku suksesi sportiv i një 90-minutëshi ka gjasa të mëdha të shndërrohet në një sukses historik të sportit shqiptar, sepse për herë të parë në historinë e Kombëtares tonë kuqezi bëhet realitet pjesëmarrja në një aktivitet të madh sportiv në rang kontinenti.
Natyrisht, këtë sukses mund ta realizojnë brenda kuadratit të gjelbërt 11 futbollistë, të dirigjuar nga një trajner mbresëlënës si De Biazi, nën duartrokitjet e nxehta dhe me zemër të atyre mijëra fansave brenda impiantit dhe miliona të tjerëve jashtë tij, që duan Shqipërinë në “Francë-2016”. Avantazhet e skuadrës tonë në këtë ndeshje janë të mëdha, mbi të gjitha të karakterit sportiv.
Lojtarët janë në formë, ka alternativa dhe ka motivim. Grupi është i përkushtuar dhe prej kohësh e mendon si duhet këtë ndeshje, pa harruar elementin fushë që për kuqezinjtë ka qenë gjithnjë një element plus. Edhe pse situata është e ndezur dhe frika e incidenteve është shumë e madhe, të gjithë e pranojnë se vetëm fusha e jep verdiktin dhe në fushë duhet të fitojnë kuqezinjtë.
Gjestet anësore nuk i interesojnë askujt, sidomos ekipit tonë, prandaj ka rëndësi që kjo ndeshje të konceptohet si ndeshje e zakonshme. Megjithatë, në të gjitha rrethanat kjo nuk është një ndeshje si të tjerat, pasi ngjarjet e Beogradit vitin e shkuar tronditën botën dhe kjo është një ngarkesë emocionale e pashoqe në një përballje të tillë. Mbi të gjitha, shqiptarët duhet të fitojnë sot ndaj serbëve në aspektin psikologjik.
Në fushë mund ta arrijnë këtë duke ndjekur me seriozitet këshillat e De Biazit. Ajo që ka rëndësi në fund është rezultati dhe nëse fitorja shkon në anë tonë, atëherë janë arritur dy qëllime: janë mundur serbët në fushë e jashtë saj, si dhe sigurohet (pothuajse matematikisht) kualifikimi në Evropian. Pikërisht ky objektiv madhor, kërkon nga gjithsecili prej nesh sot një vëmendje të veçantë, duke e ndihmuar Kombëtaren e jo duke shkaktuar incidente dhe probleme që bëhen shkak për penalizim, por me zemër të madhe kuqezi në shërbim të rezultatit.
Sa i takon anës teknike e taktike të ekipit, duhet të besojmë se De Biazi do ta zgjidhë drejt këtë ndeshje. Personalisht, jam entuziast dhe besoj shumë se Kombëtarja këtë herë do ta thyejë “tersin” e ndeshjeve vendimtare, duke na lumturuar me një fitore që na afron me “Francë 2016”. Për më tepër, një fitore me serbët dhe kualifikim direkt do të ishte kryevepër.