AlbanianSport.com 07.10.2015 15:30
ASNN – Elbasani pret i qetë ndeshjen me Serbinë. Qytetarët japin mesazh për sjellje të urtë dhe të civilizuar. As banorët nuk do të mundin ta ndjekin ndeshjen nga ballkonet e shtëpive të tyre. Kaq ekstreme janë masat policore dhe shtetërore për përballjen e shekullit në Elbasan. Do të jetë si në shtetrrethim, por atmosfera, gjithsesi, pritet të jetë shumë e mirë. Qyteti pret edhe një herë kombëtaren e futbollit, dhe nuk dëshiron të mos e provojë plotësisht kënaqësinë e ndeshjes më të përfolur të të gjitha kohëve.
Në “Elbasan Arena” luhet Shqipëri-Serbi. Në qytet do të vijnë shqiptarë nga shumë anë të vendit, si dhe nga jashtë, do të ketë edhe dhjetëra studentë serbë, dhe banorët elbasanas urojnë që gjithçka të shkojë më së miri. Mesazhi i tyre është që në ditën e përballjes, tifozët shqiptarë duhet të tregojnë urtësi dhe qytetari, në mënyrë që të shmanget çdo incident i mundshëm. Ata shprehen se përtej gjithçkaje ndodhi në Serbi, duhet të dëshmojmë se jemi një popull i kulturuar që dëshirojmë paqen dhe harmoninë.
Përveç pranisë së mijëra tifozëve nga gjithë Shqipëria e më gjerë, atmosfera pritet të bëhet edhe më e bukur nga konceptimi i ndeshjes si një spektakël sportiv ku pritet të ketë të papritura, edhe me ngritje mini-helikopterësh miqësorë me flamurin e Bashkimit Evropian, aspiratë e përbashkët e popullit shqiptar dhe atij serb. Gjithsesi, qytetarët dhe tifozët do të kenë kufizime të shumta, që nga mëngjesi deri në mbrëmje. Pavarësisht shpresës së gjithçka do të kalojë mirë, kujdesi nuk është asnjëherë i tepërt.