AlbanianSport.com 07.10.2015 14:25
ASNN – Nuk kanë fund vuajtjet e mesfushorit francez, Fronk Riberi, i cili nuk luan prej muajsh dhe ende nuk e di se kur do të kthehet në fushë. Ditët e fundit mediat gjermane kanë raportuar me ngazëllim lajmin se Riberi ka nisur të vrapojë, ndërsa drejtuesit e Bajernit shprehen optimistë se më në fund po merr fund “odiseja” e tij, por situata nuk është aq e thjeshtë. Nuk është hera e parë që mesfushori ka qenë pranë riaftësimit e ka nisur të vrapojë, por dëmtimi është kthyer sërish.
Dhe mjekët nuk po arrijnë ta kuptojnë arsyen e vërtetë që nuk e lejon Riberinë të vrapojë prej 7 muajsh. Tani Riberi ka kërkuar zgjidhje nga NASA, që për të ruajtur muskulaturën e astronautëve, përdor një pistë vrapimi antigravitet, çka lejon uljen e peshës trupore dhe mundësinë që kavilja të mos rëndohet shumë gjatë vrapimit. Kështu, Fronk Riberi nuk po sheh ende dritë në fund të tunelit. Futbollisti francez i Bajernit të Mynihut nuk luan prej 7 muajsh një ndeshje zyrtare,
Dhe kjo për shkak të një dëmtimi të pësuar në kavilje gjatë ndeshjes së Ligës së Kampioneve me Shahtjorin e Donjeckut. Në atë kohë, fillimisht u mendua se Riberi do të qëndronte jashtë fushave të lojës vetëm pak ditë, por terapia e aplikuar nga stafi mjekësor i klubit bavarez dështoi dhe tashmë shqetësimi te kampionët e Gjermanisë është rritur akoma më shumë. Duke parë situatën në të cilën ndodhet francezi, gjigandja bavareze vendosi t’i drejtohej një tjetër opsioni për kurimin e tij.
Sipas një televizioni gjerman, futbollisti ka nisur të stërvitet me një mjet antigravitet e perceptuar nga agjencia hapësinore amerikane NASA për të ruajtur muskulaturën e astronautëve. Kjo është një mënyrë për të lehtësuar peshën trupore dhe për të mos rënduar mbi kavilje. Kjo teknikë është përdorur edhe më parë nga sportistë të tjerë të njohur si Rafael Nadal e LëBron Xhejms në periudhat kur atyre iu desh të rimerrnin formën fizike pas një qëndrimi të gjatë jashtë fushave të lojës. Për tenistin spanjoll dhe basketbollistin amerikan kjo teknikë funksionoi, mbetet për t’u parë nëse e njëjta gjë do të ndodhë edhe me Riberinë.