AlbanianSport.com 07.10.2015 11:20
ASNN – Masat që ka planifikuar Policia e Shtetit për menaxhimin e situatës në Tiranë dhe Elbasan për shkak të ardhjes së skuadrës serbe në Tiranë, përmbajnë kufizime që shkelin të drejtën e qytetarëve dhe janë të tepruara në shumë aspekte, sepse paralizojnë kryeqytetin dhe lëvizjen e lirë të njerëzve dhe makinave. Ndeshja Shqipëri-Serbi, e cila do të luhet më 8 tetor 2015 në Stadiumin “Elbasan Arena”, nuk do të bllokojë vetëm akset rrugore në qytetin e Elbasanit, por edhe disa akse në Tiranë.
Policia e Tiranës ka bërë të ditur planin e masave për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë, që do të luhet të enjten në “Elbasan Arena”. Sipas njoftimit të saj, më datë 7 dhe 8 Tetor 2015, Policia e Tiranës, për sigurimin e rendit dhe të qetësisë si dhe garantimin e sigurisë në zhvillimin e aktivitetit sportiv SHQIPERI-SERBI, ka ndërrmarë këto masa për bllokimin e disa segmenteve rrugore:
“Duke filluar nga ora 17:00-20:00 e datës 7 tetor 2015, segmenti rrugor, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga “Ura e Lanës” në sheshin “Skëndërbej” do të qëndrojë i bllokuar. Bllokim segmenti përkohësisht do të ketë nga “Rinasi”, “Qafë Kashari”, në autostradën Tiranë-Durrës,si dhe rruget dytesore ,duke vijuar te mbikalimi i Kamzës, rruga “Dritan Hoxha”, rruga “29-Nëntori”, rruga e “Durrësit”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Ismail Qemali” deri te rruga e “Elbasanit”.
Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve dhe nuk do te lejohet kalimi i kembesoreve pranë Hotel “Sheraton’’ dhe Univeristetit të Arteve si dhe nuk do te lejohet parkimi i automjeteve në sheshin “Italia”. Bllokimi do të vazhdojë në të gjitha segmentet të cilat lidhen me Hotel “Sheratonin”. Ndërkaq, më datën 8 tetor 2015, nga ora 12:00-19:00, do të bllokohet segmenti rrugor nga rruga “Dervish Hima”, rruga e “Elbasanit”, tuneli i Elbasanit ku nuk do të lejohen kalimi mjeteve deri në përfundim të aktivitetit sportiv në qytetin e Elbasanit.
Drejtoria e Tiranës, kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe gjithë përdoruesve të rrugës të shmangin kalimin në segmentet e përcaktuara si edhe të përdorin aksin rrugor nga autostrada për të mbërritur ne qytetin e Elbasanit.