AlbanianSport.com 07.10.2015 10:15
ASNN – Bashkia e Shkodrës nën akuzë edhe për vonesat e punimeve për rikonstruksionin e stadiumit “Loro Borici”. Ai që drejton gishtin ndaj organit të pushtetit lokal në Shkodër është anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Arben Dervishi i cili pas një vizite në qytetin verior për të ndjekur punimet në stadium ngarkoi me përgjegjësi Bashkinë, e cila nuk ka firmosur kontratën me FSHF-në, çka është një kusht i vendosur nga UEFA për lëvrimin e fondeve për stadiumin.
“Është e vërtetë se ka një ngadalësim të punimeve në rikonstruksionin e stadiumit “Loro Boriçi” e kjo ka ardhur ngaqë nuk janë lëvruar të gjitha fondet e një nga shkaktarët për këtë është edhe Bashkia Shkodër, – ka thënë zyrtari i organizmit që qeveris futbollin në vend. – UEFA, si donatorja e këtyre fondeve, ka kërkuar një marrëveshje me shkrim mes FSHF-së dhe Bashkisë Shkodër, marrëveshje kjo që edhe në këto momente që po flasim ende nuk është firmosur.”
Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF megjithatë bëri të ditur se pas takimit me kryetarin e Këshillit Bashkiak, Xhemal Bushati, ka marrë premtimin për zgjidhjen e ngërcit të krijuar. Për sa i përket punimeve, Dervishi bëri të ditur se javën e ardhshme fillon rikonstruksioni total i fushës ndërsa është rishikuar edhe projekti për tribunën për të garantuar më tepër siguri, ndërsa dha edhe afatin për përfundimin e rikonstruksionit të “Loro Boricit”.
“Ka shumë punime që nuk duken këtu, por ato kanë avancuar në mënyrë që të kapim kohën e duhur, – ka sqaruar Dervishi. – Jemi optimistë se fundi i vitit do na gjejë me stadium. Do të ngelë ndonjë punim i vogël pa përfunduar, por që nuk na prishë asnjë punë, sepse do zgjidhet në vazhdim, sepse nuk na pengojnë në fushën e lojës. Nuk mendoj se ka ndonjë problem politika në çështjen e stadiumit të Shkodrës, siç mund të diskutohet.”
“Ky është investimi më i madh që Qeveria shqiptare ka bërë për sportin, – ka vijuar anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishi. – Ka miratuar 12-13 milionë euro, ndërsa 4 milionë do japë federata. Kështu që nuk e kuptoj se ku mund të jetë loja politike në këtë mes.”