AlbanianSport.com 06.10.2015 12:30
ASNN – Përfaqësuesja serbe është grumbulluar në Stara Pazova prej ditës së hënë, për takimin me Shqipërinë. Në qytezën pranë Vojvodinës do të qëndrojnë deri të mërkurën pasdite, për të udhëtuar drejt Tiranës. Futbollistët serbë ndajnë mendime të ndryshme për atë që mund të ndodhë më 8 tetor në “Elbasan Arena”. Portieri Vladimir Stojkoviç vijon t’i qëndrojë mendimit se mund të ndodhë diçka, por çuditërisht nuk frikësohet për sigurinë e tij.
“Nuk kam frikë për sigurinë, – thotë gardiani i portës së përfaqësueses së Serbisë. -Shkojmë atje për të luajtur futboll, gjë që është kryesorja. Jam i bindur se mund ta arrijmë fitoren. Do të ishte e rëndësishme për ne si ekip, për tifozët dhe për kombin tonë, për vetë marrëdhëniet që kanë pasur dy shtetet. Çdo rezultat negativ për ta mund të shkaktojë diçka që nuk do të ishte sportive.” Autoritetet shqiptare pritet të angazhojnë rreth 1500 forca policore ditën e takimit.
Sipas mesfushorit Zoran Tosiç do të ishte mirë të fokusoheshin në sfidën që do të luhet në fushë. “Le të përqendrohemi te futbolli, – ka thënë futbollisti serb. – Mendoj se kemi ekip cilësor. Duhet të jemi të qetë që ta tregojmë këtë cilësi. Nuk mendoj se gjyqtari do të jetë i njëanshëm, pavarësisht se është italian. Shqipëria është një skuadër e fortë, që mbrohet shumë mirë, por ne duhet të kemi topin në zotërim dhe të luajmë në sulm.” Delegacioni serb pritet të shoqërohet nga rreth 350 forca sigurie gjatë lëvizjeve të tij.