Gjergj Vyshka 12.10.2014 13:05
“Dinamo nuk për t’i munguar asnjëherë mbështetja financiare”. Kështu e ka nisur prononcimin e tij për “Gazeta e Sportit”, administratori i bluve, Ismet Saliaj, ndërsa disa ditë më parë tek lojtarët është ngritur dhe shqetësimi i mungesave të pagesave mujore. Që për ta, pavarësisht se nuk duhet të jetë alibi, ka qenë edhe një arsye e mungesës së motivimit në ndeshjen me Naftëtarin. Sipas Saliajt, edhe pse në vështirësi financiare vite më parë, janë bërë të gjitha përpjekjet që Dinamo jo vetëm të ekzistojë, por dhe të mos shuhet si emër.
Nuk duhet harruar që në fund të sezonit 2012-2013, Dinamo ka rrezikuar seriozisht rënien në Kategorinë e Dytë. “Ne jemi duke e mbajtur mes shumë sakrificash këtë skuadër, sepse duhet të dini që nuk jemi duke “notuar” në para, – ka thënë ai. – Ama barazimi i së shtunës së kaluar me Naftëtarin nuk mund të justifikohet me rrogat e munguara të lojtarëve. Sepse jemi në javën e dytë dhe skuadra duhet ta kishte marrë këtë ndeshje. Mos harroni që më 25 gusht, kur janë nënshkruar kontratat me futbollistët, atyre u është një rrogë në dorë.”
“Dikush ka marrë nga një rrogë, të tjerë dy, – ka vijuar zyrtari i bluve kryeqytetas. – Por kjo nuk është për t’u justifikuar ne. Sepse ka qenë një periudhë e vështirë, e cila ka pasur të bëjë dhe me shpenzimet, që lidhen me regjistrimin e skuadrës në kampionat, që ka shkuar në shumë 1.200.000 lekë të rinj. Por janë blerë uniformat e reja, ndërsa skuadra është e plotësuar dhe me bazë materiale. Mos harroni që ata e kanë pasur të garantuar dhe premion, ashtu sikurse dhe në ndeshjen me Luftëtarin në Gjirokastër, e cila na kënaqi.”
“Pra ajo që duhet të them unë është se Dinamos nuk i ka munguar mbështetja, ndërsa barazimi me Naftëtarin është zhgënjim për të gjithë”, – ka përfunduar administratori i Dinamos, Ismet Saliaj.