AlbanianSport.com 05.10.2015 22:05
ASNN – Marko Stankoviç i skuadrës së Novi Pazarit si individ dhe Apolonia si ekip janë fituesit e Rrethit të 72-të Çiklistik të Shqipërisë. Çiklisti serb ka fituar tre etapa duke u shpallur në fund fitues. Për të, kjo është hera e dytë radhazi që fiton këtë veprimtari madhore të dyrrotakëve në Shqipëri.
Marko Stankoviç, çiklisti i Novi Pazarit ka fituar etapën e fundit të Rrethit të 72-të Çiklistik të Shqipërisë, e gjatë 125 km. Me këtë fitore, ai bëhet dhe fitues i kësaj veprimtari. Ky është suksesi i dytë radhazi i çiklistit serb, pasi ka fituar edhe Rrethin Çiklistik të vitit të kaluar.
Këtë vit, Stankoviç ka fituar tre etapa duke u bërë kështu fitues i Rrethit të 72-të Çiklistik të Shqipërisë, e duke marrë kupën përkatëse. Ndërkohë që Besmir Banushi ka marrë garën e kronometrit, Ylber Sefa është fitues në etapën e dytë Shkodër-Burrel, kurse Marolino Hoxha në etapën Burrel-Durrës.
Për arsye financiare, etapa Durrës-Vlorë nuk u zhvillua. Në renditjen e përgjithshme individuale, pas serbit Stankoviç, në vendin e dytë është renditur Ylber Sefa dhe në të tretin, Besmir Banushit. Si ekip fitues është shpallur Apolonia. Ashtu si edhe në veprimtaritë e tjera, policia e shtetit ka dhënë kontributin e saj, me qarkullimin rrugor, për t’u krijuar kushte sa më të mira çiklistëve për të zhvilluar garën.