Gjergj Vyshka 05.10.2015 17:05
Nëse nuk ka paraqitur asgjë të mirë në parket skuadra e Klarent Dedajt, ajo që e vlerëson atë me notë pozitive është organizimi. Së pari, siç ndodh në asnjë pallat tjetër sporti, dje hyrja e spektatorëve ka qenë me biletë me një çmim simbolik prej 100 lekësh të rinj.
Së dyti, atmosfera e krijuar me muzikë në prag të fillimit të ndeshjes, por dhe spikeri që ka thirrur lojtarët në fushë një e nga një sikur të ishte një ndeshje ndërkombëtare, sërish është pozitive. Sepse në fund të fundit, basketbolli shqiptar ka nevojë për të tilla gjëra “të vogla”.
Dhe së treti, numri i madh i spektatorëve për një ndeshje të tillë, rreth 150, bind që skuadrat e traditës duhet të rrisin nivelin e tyre për të thithur kaq shumë njerëz. Shkurt Tirana Eagles e fitoi betejën e organizimit, por si një shembull që duhet ndjekur edhe nga të tjerët.
Nga Tirana, Vllaznia, Flamurtari, Kamza Basket, Partizani, Elbasani, Skënderbeu, ky lloj organizimi duhet bërë në çdo ndeshje. Sepse vetëm kështu mund të kemi më tepër njerëz në këtë basketboll edhe me infrastrukturë nul.