AlbanianSport.com 05.10.2015 11:15
ASNN – Golat shqiptarë vazhdojnë nëpër Evropë. Odise Roshi, Bekim Balaj, Albian Ajeti dhe Armando Sadiku shënojnë për skuadrat e tyre. Kështu, ishte sërish një fundjavë golash shqiptarë.
Në Zvicër dhe në Kroaci u realizuan katër të tillë, rrjeta nga të cilat u morën fitore dhe barazim. Në Superligën e Zvicrës, Albian Ajeti dhe Armando Sadiku shënuan në derbin mes tyre, Zyrih-Bazel.
Ajeti, sulmuesi që pritet të luajë për Shqipërinë, i dha Bazelit epërsinë e përkohëshme 2-1 pak minuta para fundit, por Sadiku goditi pikërisht në çastet përmbyllëse. Interesant fakti se të tre shqiptarët në këtë ndeshje hynë si zëvendësues.
Berat Gjimshiti në pjesën e parë, Ajeti e Sadiku vetëm pak minuta para se të shënonin. Festë shqiptare edhe në Kroaci. Nuk habit më Bekim Bala, por jep shpresë në krahun tjetër, Odise Roshi.
Lojtari ofensiv i krahut realizoi në fitoren 4-1 të Rijekës ndaj Zagrebit. Në stadiumin “Kantrida”, suksesi kuqezi u plotësua nga goli i radhës i Balës. Formë e mirë në momentet e duhura për lojtarët e Kombëtares.