AlbanianSport.com 04.10.2015 20:25
ASNN – Java e 6-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka vijuar të dielën me dy takime të tjera dhe në ndeshjen e luajtur pasdreke, Flamurtari ka shpartalluar Tërbunin, me rezultatin e thellë 7-0, ndërsa pasdite, Teuta ka mundur Bylisin me rezultatin 3-0.
Kjo javë ka nisur ka të shtunën pasdite me barazimin 1-1 midis Vllaznisë dhe Kukësit, dhe ka vijuar në mbrëmje me derbin e madh të kryeqytetit midis Partizanit dhe Tiranës.
Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Dhe ka qenë një shkodran, sulmuesi Xhevahir Sukaj, ai që ka vulosur fatin e ndeshjes në favor të të kuqve, me golin e vetëm të shënuar në pjesën e dytë të ndeshjes.
Në pjesën e parë të saj, përballja midis të kuqve dhe bardhebluve të kryeqytetit ka qenë në nivelin mesatar dhe 45 minutat e para do të mbyllen me rrjeta të paprekura. Ndërsa ato të dytat kanë nisur më mirë për Partizanin, që në minutën e 51-të, do të gjejë edhe golin e epërsisë, kur Sukaj godet në kthesë në kufinjtë e zonës dhe mposht gardianin bardheblu, Frashëri.
Partizani fiton me rezultatin 1-0 dhe duke marrë përkohësisht kreun e renditjes së Kategorisë Superiore, në pritje të ndeshjes së fundit të javës së 6-të, asaj midis Laçit dhe Skënderbeut, që do të luhet të hënën, duke nisur nga ora 14:00.