Gjergj Vyshka 04.10.2015 16:15
Marolino Hoxha i Apolonisë është fituesi i etapës së tretë të Rrethit të 72-të Çiklistik të Shqipërisë. Fitore surprizë kjo nga ana e sportistit fierak, pasi në fillim të garës të tjerë priteshin emra më të afirmuar për t’u ngjitur në podium, pse jo një nga kryesuesit e renditjes së përgjithshme si serbi Stankoviç, përfaqësuesi i Kosovës, Sefa, apo dhe çiklisti i Apolonisë, Banushi.
Kjo etapë pati si pikënisje qytetin e Burrelit, ndërsa mbërritja u bë në Durrës, përballë pallatit të sportit “Ramazan Njala”. Etapa ka qenë e gjatë 118 kilometra, kurse Hoxha e ka prerë finishin në Durrës në kohën 3h 04’17”. Pas tij në vendin e dytë ka ardhur çiklisti i Tiranës, Orest Hoxha, me kohën 3h04’18”. Në vendin e tretë ka ardhur kosovari Qëndrim Guri, i cili e ka përshkruar garën me kohën 3h04’19”.
Pas tri etapave të para, renditjen e përgjithshme individuale e kryeson çiklisti serb i ekipit të Novi Pazarit, Marko Stankoviç, me kohën 8h27’37”. Pas tij vjen sportisti i Apolonisë, Besmir Banushi, me kohën 8h28’17”. E, në vendin e tretë pozicionohet çiklisti i Kosovës, Ylber Sefa, me kohën 8h29’23”. Sot Rrethi i 72-të Çiklistik i Shqipërisë vijon me etapën e katërt, Durrës-Vlorë e gjatë 118 kilometra e gjatë.