AlbanianSport.com 03.10.2015 22:40
ASNN – Partizani ka fituar derbin e parë të kryeqytetit për këtë sezon ndaj Tiranës, duke triumfuar me një gol të vetëm, të shënuar në pjesën e dytë dhe duke marrë përkohësisht kreun e renditjes së Kategorisë Superiore. Emocionet e këtij derbi u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Është luajtur të shtunën derbi i madh i kryeqytetit midis Partizanit dhe Tiranës dhe ka qenë një shkodran, sulmuesi Xhevahir Sukaj, ai që ka vulosur fatin e ndeshjes në favor të të kuqve, me golin e vetëm të shënuar në pjesën e dytë të ndeshjes.
Kjo ndeshje, e vlefshme për javën e 6-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e cila ka nisur pasdite me barazim 1-1 midis Vllaznisë dhe Kukësit, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në pjesën e parë të saj, përballja midis të kuqve dhe bardhebluve të kryeqytetit ka qenë në nivelin mesatar, me një lojë të ngjeshur nga ana e të dyja skuadrave, që ishin më të interesuara të mos pësonin gol sesa të synonin portat përkatëse. Me rrjeta të paprekura do të mbyllen 45 minutat e para.
Ndërsa ato të dytat kanë nisur më mirë për Partizanin, që në minutën e 51-të, do të gjejë edhe golin e epërsisë, kur Sukaj godet në kthesë në kufinjtë e zonës dhe mposht gardianin bardheblu, Frashëri, edhe pse goditja e shkodranit ishte relativisht e dobët. Goli u ka dhënë zemër të kuqve, të cilët janë më të sigurt në vetvete dhe në lojën e tyre, ndërsa Tirana nis të reagojë, por nuk ka qetësinë e duhur, si dhe fantazinë e nevojshme për të të thyer mbrojtjen e ngjeshur të Partizanit. Minutat e fundit do të sjellin edhe nervozizëm dhe kartona të verdhë dhe Partizani fiton me rezultatin 1-0 dhe duke marrë përkohësisht kreun e renditjes së Kategorisë Superiore.